Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hisen Berisha, konsideron se veprimet e Qeverisë Kurti janë të përafërta me regjimet e kaluara, teksa kërkon veprime për shkarkimin e kryeministrit, raporton Ekonomia Online.
Teksa ka folur për veprimet në veri të vendit dhe përplasjet me bashkësinë ndërkombëtare, Berisha e quan jetësim i ofertës së kryekriminelit të Ballkanit, Slobodan Millosheviq.
Berisha thotë se kjo Qeveri koordinohet me personin që është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Milan Radojiçiq.
“Ne si spektër politik kemi marrë veprime të ndryshme. Mendoj se spektri politik dhe shoqëria civile duhet të ngritën më shumë se kurrë, duhet ta ndalin me çdo mjet këtë person, këtë njerëzish që i takojnë regjimeve të kaluara, janë pjellë e regjimeve të kaluara dhe kanë me mbet si të tilla. Këta janë njerëz që po e ruajnë dhe po e implementojnë ofertën e Millosheviqit, prandaj duhet ndalë me çdo kusht. Këtë e dëshmuan se edhe koordinimi i politikave qeverisëse e bëjnë me njerëz që janë kriminel, terrorist që janë të identifikuar nga ShBA-ja”, u shpreh Berisha, teksa flet edhe për incizimet e shefes së deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila me ish-deputetin e Listës serbe, Sllavko Simiq.
Deputeti i PDK-së ngreh dyshime se kryeministri Kurti ka shkaktuar trazira vetëm për t’i ikë vëmendjes nga formimi i Asociacionit.
“Radojçiqi është shpallur si person non-grata sepse konsiderohet si rrezik për sigurinë nacinale, dhe kjo Qeveri bashkëpunon me personin që prezanton rrezik për sigurinë nacionale të Amerikës. Pra Kosovën, kjo Qeveri e ka shndërruar në armikun e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe këta njerëz duhet ndalur me çdo mjet dhe kjo Qeveri më datë 26 maj që atë zjarrin do duhej ta digjte Vuçiqin dhe Beogradin e mori përmes bashkëpunimit me ta e solli në veri të Kosovës, nuk i dhezi. Nuk arriti me shkaktu ekcese luftarak atje, dhe unë u paralajmëroj se do të provojë prapë në veri që ta nxisë edhe një konflikt me përmasa të njëjta siç ishte ai i 26 majit”, thotë Berisha.
Teksa ka folur për mënyrën se si do ta implementojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Berisha merr si shembull republikat në ish-federatën ruse.
“Ky po mundohet ta shes tradhtinë sepse ky nuk është më Asociacion me vërejtje të Gjykatës Kushtetuese, është një autonomi territoriale dhe është një standard i organizimit territorial që ka pasur Federata ruse. Shembull, gjermanët e mbetur gjatë Luftës së Dytë Botërore atje, e kanë Republikë autonome gjermane. Statuti që ai e ka sjellë do të imponojë në veri një Republikë autonome, ai do të jetë një territor, dhe me marrëveshjen që e ka bërë, Kosova nuk ka të drejtë të interpretojë asnjë detyrim. Prandaj me gjithë këto kriza që po i shkakton në Kosovë, po i bën që me tërheq vëmendjen nga dëmi më i madh që po i integritetit dhe sovranitetit të shtetit dhe për ta arsyetuar implementimin e kësaj në një stil të njëjtë siç bënte Millosheviqi”, u shpreh tutje Berisha.