Berisha: Lirinë kushtetuese s’mundi të na e cenoje pushteti, kufizimin na e imponon shëndeti

Prishtinë | 31 Mar 2020 | 19:21 | Nga Ekonomia Online

Avokati Besnik Berisha e ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila e ka vlerësuar anti-kushtetuese masat e marra nga Qeveria për kufizimin e lirisë së lëvizjes, si masë mbrojtëse ndaj përhapjes së Cornavirusit.

Gjykata, të martën përmes një komunikate, ka njoftuar se vendimi nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe si afat për shfuqizimin e këtij vendimi ka lënë datën 13 prill.

Ai ka thënë se fakti që Gjykata Kushtetuese ka shtyrë hyrjen në fuqi të aktgjykimit të saj deri më datën 13 prill 2020, kjo nuk nënkupton aspak se Qeveria e ka luksin që ta le në fuqi vendimin antikushtetues deri në atë datë.

Ai ka thënë se Qeveria ka për detyrim që të veprojë me nguti të posaçme për të shfuqizuar të gjitha kufizimet që janë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore, të garantuara me kushtetutë, e për të cilat tashmë kemi një aktgjykim që nuk mund të apelohet.

Berisha është shprehur se  vendimet antikushtetuese nuk mund të prodhojnë pasoja për askend, përveç  për hartuesit dhe miratuesit e tyre.

“Të gjithë ata qytetarë që për një arsye apo tjetër janë dëmtuar apo edhe ndëshkuar si pasojë e një vendimi antikushtetues, kanë të drejtë të kompenzohen për dëmin e shkaktuar ndaj tyre.  Pavarësisht lirisë kushtetuese që s’mundi të na e cenoje pushteti, kufizimin na e imponon jeta dhe shëndeti.  Respektojeni veten dhe tjetrin. Rrini në shtëpi”, ka shkruar Berisha.

Të ngjashme