Berisha: Nëse Basha humb, në korrik zgjidhet kreu i ri i PD-së

Prishtinë | 10 Qer 2017 | 11:11 | Nga

Ish-kryeministri Sali Berisha, ka deklaruar se nëse kreu i opozitës Lulzim Basha humbet zgjedhjet, PD do të shkojë në zgjedhje për kryetarin e ri në muajin korrik. Ai ka thënë se mandati i Lulzim Bashës mbaron pikërisht në korrik, 4-vjet pas fitores së tij përballë Sokol Olldashit.

“Nëse nuk bëhet dot kryeministër, se nëse nuk fiton zgjedhjet, Basha ka thënë se do të bëjë zgjedhjet për kryetarin e PD-së në korrik. Basha ka deklaruar se do të bëhen çdo dy vjet zgjedhjet e kryetarit të PD-së, pas çdo zgjedhjeje lokale dhe pas çdo zgjedhjeje të përgjithshme”, tha ai.

Berisha nuk u shpreh në mënyrë të drejtpërdrejtë për fatin politik të Lulzim Bashës dhe nëse mbështeste rikandidimin e tij në rast humbje në 25 qershor.

Ish kryeministri Sali Berisha komentoi lënien jashtë listës së PD të ish-bashkëpunëtorëve të tij, por i dha plotësisht të drejtë Lulzim Bashës për emrat e kandidatëve të PD-së në 25 Qershor. Sipas Berishës, nuk ka diskutim që kryetari ka të drejtë të patjetërsueshme të ketë listën e tij.

“Kushdo që më pyet mua “po si ndodhi që i more të gjitha përgjegjësitë mbi vete?”, shumë thjesht i them se kryetari ata që i kishte përreth i kishte pëlqyer vet në një mënyrë ose në një tjetër i kishte përzgjedhur vet dhe asnjeri nuk ia kishte vendosur atij në ato pozicione. Nuk është se ata nuk kishin secili nga pak përgjegjësi”, tha ai.

Duke komentuar kundërshtimet e Jozefina Topallit dhe Arben Imamit, Berisha tha se ato mbeten ish-bashkëpunëtorët e tij, por shtoi “edhe miqtë e mi për aq kohë sa ata të dëshirojnë të ruajnë ato raporte”.

“Zërat kritikë nuk shuhen kurrë në asnjë parti, as në partinë demokratike. Por kjo është një periudhë dhe unë e shfrytëzojë këtë rast dhe unë e shfrytëzoj këtë rast t’i bëj thirrje çdo demokrati, çdo qytetari të bëjnë gjithçka në këtë prag fitoreje të sigurt të opozitës shqiptare. Kurrë ndonjëherë nuk e ka patur populli i opozitës më afër, më të prekshme, më të mundshme fitoren, se sa në këto zgjedhje. Imagjino kë kanë kundërshtar. Kanë kundërshtar një njeri i cili pasi mashtroi, pasi shpalli platformë me 42 premtime dhe ka zbatuar vetëm një prej tyre, heqjen e TVSH-së për ilaçet, paçka se çmimi i ilaçeve është rritur me 30% në krahasim me 3 vjet më parë”, tha Berisha.

Me këto deklarata, Berisha i dha fund dilemave nëse kishte pasur dijeni për emrat që përzgjodhi Lulzim Basha për të kandiduar apo jo.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme