Dardan Berisha ende nuk e ka të definuar të ardhmen e tij, ndonëse thotë se parimisht ka marrëveshje me Pejën, klub që e ka lënë në dyshim pjesëmarrjen në Superligën e Kosovës dhe në Ligën Unike.
Peja sërish po përballet me probleme financiare dhe për këtë arsye po shqyrtohet ende pjesëmarrja në edicionin e ri të garave në basketboll.
Berisha në janar u kthye te Peja pas një kohe të gjatë dhe ndihmoi ekipin ta fitojë Kupën e Kosovës, trofeun e vetëm të këtij viti në basketbollin e vendit. Edicioni 2019/20 u ndërpre më 31 mars shkaku i pandemisë, kurse kampionët nuk u shpallën.
Peja krahas telasheve financiare së fundi ka marrë edhe një bllokadë të re nga FIBA dhe nuk mund të bëjë transferime për sezonin e ri për shkak se nuk ka respektuar afatin e pagesave të kësteve të borxhit. Në klub kanë thënë se pandemia ka ndikuar që mos të respektohen afatet e marrëveshjes me FIBA-n.
Fundori Berisha ka pranuar se po pret se çfarë do të ndodhë me klubin pejan dhe po shpreson që në edicionin e ri të organizohet për të filluar garat. Ai ka thënë se po pret vendimin për t’u hapur palestrat duke shtuar se basketbolli ka pësuar më së shumti nga pandemia, e cila ka bërë që lojtarët tashmë shtatë muaj mos të stërviten e as të luajnë.
“Situata është e vështirë dhe nuk po dihet se çka do të ndodhë dhe nuk e di se çka do të bëhet për shkak se pandemia ka ndikuar dukshëm në çdo aspekt. Me Pejën kam pasur marrëveshje gojore edhe për një vit dhe me gjithë ofertat që i kam pasur në fillim të verës, nuk kam dashur të largohesha për shkaqe personale”, është shprehur Berisha.