Ish-presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, ka zbarkuar në selinë e Partisë Demokratike të hënën me përkrahësit e tij partiak, me synimin për të organizuar shkarkimin e Lulzim Bashës, kryetarit tashmë të kontestuar të kësaj partie, duke i hapur rrugë ndarjes së partisë më të madhe opozitare në Shqipëri.
Nga selia e PD-së Berisha njoftoi se Partia Demokratike do të thërrasë anëtarët e saj të votojnë në një referendum më 18 dhjetor për shkarkimin e Bashës, të cilin e akuzoi për “krim elektoral” në përpjekje për ta manipuluar referendumin për shkarkimin e tij.
Për rreth një ore, dy prijësit e PD-së mbajtën mbledhje paralele në selinë blu në qendër të Tiranës duke ngritur tensionet mes dy fraksioneve të kësaj partie.
“Rithemelimi i Partisë Demokratike është jetik për Shqipërinë”, tha Berisha gjatë qëndrimit në PD, ku bashkëpunëtorët dhe simpatizantët e tij akuzuan se ishin kërcënuar nga prania e njerëzve të armatosur brenda selisë së kësaj partie.
Zhvillimet e sotme u paraprinë nga tubime disa javësh që mblodhën mijëra simpatizantë të ish kryetarit dhe themeluesit të PD-së, Sali Berisha, përpjekje për t’u rikthyer në skenën politike pas shpalljes si person non-grata nga administrate aktuale amerikane.
Këto tubime kulmuan me një miting në Tiranë gjatë fundjavës prej nga Berisha synon shkarkimin e Bashës dhe rikthimin e tij si kryetar i partisë, përkundër paralajmërimeve të shumta të zyrtarëve amerikanë që një veprim i tillë do të acaronte marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me PD-në dhe Shqipërinë.
Në selinë e PD-së, Berisha dhe një grup anëtarësh aktual të PD-së theksuan se po mbajnë kuvendin e partisë për të rithemeluar Partinë Demokratike, me Bashën të shkarkuar dhe të reduktuar në deputet të kësaj partie në Kuvendin e Shqipërisë.
Veprimet e Berishës janë kontestuar nga pjesa tjetër e PD-së rreth kryetarit aktual Basha, të cilët në një mbledhje paralele të mbajtur të shtunën anuluan vendimet e Kuvendit të organizuar nga Berisha në po të njëjtën ditë.
Përplasjet brenda PD-së kanë filluar qysh nga muaji shtator kur kreu aktual i kësaj partie, Lulzim Basha u rreshtua në mbështetje të kërkesave të administratës amerikane për ta larguar Berishën nga grupi parlamentar i partisë. Berisha, i cili ka paditur sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken në një gjykatë në Francë për t’i kontestuar akuzat për korrupsion që përbëjnë bazën e veprimit amerikan për ta shpallur atë person të padëshirueshëm.
Berisha ka vazhduar me akuza ndaj administratës amerikane duke theksuar se nuk do të lejojë që zyrtarët amerikanë të sillen si guvernatorë në Shqipëri.
Në maj, Departamenti amerikan i Shtetit i ka ndaluar hyrjen në territorin amerikan atij dhe anëtarëve të familjes së tij të ngushtë, për shkak të përfshirjes së tij në siç është thënë korrupsion të gjerë./rel