Berisha thotë se krijimi i Ushtrisë do të bëhet me konsensus të plotë

Prishtinë | 27 Sht 2017 | 15:01 | Nga

Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha ka pritur sot për herë të parë në takim, komandantin e KFOR-it, gjeneralin Giovanni Fungo.

Në takim u bisedua për situatën e sigurisë dhe gjithashtu për bashkëpunimin e mirë ndërmjet Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Trupave Paqeruajtëse të KFOR-it, si dhe për planet dhe aktivitetet konkrete për bashkëpunim në të ardhmen.

Berisha u shpreh se gjatë mandatit të tij do të angazhohet që t’i avancojë më tutje marrëdhëniet e shkëlqyera të kultivuara deri më tani në mes të Ministrisë për FSK dhe KFOR-it, njofton Klan Kosova.

Ai tha poashtu se krahas zhvillimit dhe avancimit të FSK-së është duke u punuar edhe në planin për transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur, dhe se kjo do të bëhet me konsensus të plotë me faktorin e brendshëm dhe në bashkëpunim me partnerët strategjikë, duke qenë transparent në çdo hap të procesit.

Komandanti Fungo tha se KFOR-i dhe FSK-ja kanë raporte bashkëpunimi shumë konkrete, jo vetëm me takime e shkëmbime zyrtare por edhe me ushtrime dhe aktivitete tjera të përbashkëta fushore, në të cilat njësi të veçanta të KFOR-it dhe të FSK-së po kryejnë stërvitje të përbashkëta.

Fungo njoftoi se janë në prag të përfundimit të procesit të planifikimit për disa aktivitete konkrete të përbashkëta, të cilat do të realizohen në bashkëpunim KFOR-FSK, dhe se, bashkëpunime të tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme