Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka deklaruar sot se pajtimi i Serbisë për zgjidhje kompromisi për çështjen e Kosovës nuk duhet të konsiderohet si dobësi, por si tregues i seriozitetit dhe shtetit të fortë.
“Më duket se në këtë koment, vetëm Beogradi është i gatshëm për bisedime të hapura dhe kompromis, dhe nuk do të doja që fakti pse ne jemi të hapur për kompromis të konsiderohet si dobësi jona”, ka thënë Bërnabiq, transmeton Koha.net.
Ajo ka shtuar se ka biseduar dje shkurtimisht me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në lidhje me dialogun në Bruksel dhe se kanë vlerësuar se ato bisedime kanë qenë shumë të vështira.
“Qeveria e Serbisë do t’i qëndrojë prapa presidentit dhe do t’i japë mbështetje të plotë në vazhdim të dialogut”, ka thënë kryeministrja serbe, Bërnabiq, raporton “Beta”.
Vuçiqi tha se dje në Bruksel është dakorduar me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, që të gjitha problemet të zgjidhen në paqe, me respektim të ndërsjellë dhe garantim të sigurisë së qytetarëve.