Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim sot ka lansuar në Prishtinë Raportin e Tranzicionit 2019/2020 “Qeverisje më e mirë, Ekonomitë më të mira”, ku është konstatuar se në rajonet e BERZH është shënuar një progres domethënës që nga vitet e 90-ta, me përmirësim në sundim të ligjit, qeverisje efektive, cilësi të shërbimeve publike dhe sisteme rregullative.
Për Kosovën, raporti nënvizoi vazhdimësinë e rritjes relativisht të fortë, me Bruto Produkti Vendor që është rritur me 3.8 për qind në vitin 2018 dhe që parashikohet të rritet me 4 për qind për vitin 2019, e nxitur nga kërkesa e fortë e brendshme. Ai vuri në dukje përshpejtimin e inflacionit, nga nën një për qind në 10 muajt deri në tetor 2018, në mbi tre për qind që nga atëherë, i nxitur kryesisht nga rritja e çmimeve të ushqimeve. Ai gjithashtu vëren se vendi e ka rritur nivelin e luftimit të informalitetit me një plan veprimi të miratuar majin e kaluar që do të zgjasë deri në 2023.
Raporti i BERZH gjithashtu citon tri prioritete kyçe për Kosovën: reformat e klimës së biznesit për ta përshpejtuar rritjen e sektorit privat, adresimin e problemeve në ndërmarrjet shtetërore, si dhe diversifikimin duke u larguar nga qymyri si burim të energjisë elektrike.
Raporti sqaron se dështimi i qeverisjes, në të gjitha rajonet e BERZH-it, vjen me një çmim. Mungesa e qeverisjes së mirë shkakton paparashikueshmëri, e cila i dekurajon investimet. Kjo çon në konkurrueshmëri më të ulët të lidhur me koston e korrupsionit, dhe kushte të pabarabarta që favorizojnë ata që kanë lidhje me elitat në pushtet dhe disfavorizon të tjerët.
Pabarazia në rritje që buron nga qeverisja jo adekuate ka shkaktuar një “ndjenjë të përgjithshme të padrejtësisë dhe zhgënjimit me politikën”, thuhet në raport.
Një pakënaqësi e tillë është gjithashtu shkak i emigracionit.Ndërkohë që dështimet e qeverisjes kanë një ndikim të prekshëm negativ, raporti gjithashtu përqendrohet në efektet e matshme pozitive të përmirësimeve të qeverisjes.
Nëse qytetarët e një shteti të Ballkanit Perëndimor besojnë se qeveria e tyre është e gatshme dhe e aftë të trajtojë korrupsionin, ky besim ka të njëjtin ndikim në zvogëlimin e synimeve të tyre për të emigruar sa një rritje e rrogës mujore me 400 dollarë amerikanë.
Raporti i BERZH-it thotë se përjashtimet nga ngadalësimi i përgjithshëm i përmirësimeve të qeverisjes përfshijnë Gjeorgjinë dhe Estoninë, të cilat e kanë mbyllur “hendekun e qeverisjes” me G7 me gati 70 për qind dhe rreth 90 për qind, respektivisht.
Ndërkohë që përmirësimi i cilësisë së institucioneve në nivelin e vendit është “jashtëzakonisht i vështirë”, raporti mbështet përvojën nga vendet që kanë arritur përparim në këtë fushë.
Shembujt kryesorë përfshijnë realizimin e reformave të shërbimit civil, thjeshtimin e rregulloreve komplekse, përdorimin e teknologjisë digjitale, mbrojtjen e lirisë së shtypit dhe thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër korrupsionit.
Raporti deklaron edhe se dobësitë e qeverisjes duhet të adresohen në të gjitha nivelet e shoqërisë, përfshirë qeverisjen rajonale, në kuadër të kompanive, dhe në fushat e një sfide specifike siç është ndryshimi i klimës.
Në nivelin e kompanive, raporti sqaron se integrimi ndërkombëtar përmirëson nivelet e qeverisjes së korporatave, duke thënë se kompanitë në pronësi të huaj dhe kompanitë e angazhuara në tregti ndërkombëtare kanë tendencë të menaxhohen më mirë. Drejtuesit profesionistë e dëshmojnë se janë më të mirë se menaxherët e familjes.
Sidoqoftë, ndërmarrjet nganjëherë nuk arrijnë të bëjnë investime mjedisore, sepse këto nuk konsiderohen prioritet i mjaftueshëm për afatin e shkurtër, edhe nëse ato shtojnë vlerë në një afat më të gjatë.
Raporti rekomandon masa për të stimuluar “investimin e gjelbër” nga kompanitë, duke përfshirë zgjerimin e disponueshmërisë së kredive për të inkurajuar investimet e gjelbra. Ai propozon edhe futjen e standardeve dhe rregulloreve mjedisore për t’i detyruar kompanitë të prodhojnë në mënyra me efikasitet më të lartë të energjisë.
BERZH-i ka vazhdimësi të gjatë të punës me Kosovën dhe deri më tani ka investuar 470 milion euro në 68 projekte. Në vitin 1999, projektet e sektorit privat në Kosovë u pranuan për përkrahje nga BERZH-i përmes fondeve rajonale të dedikuara dhe të menaxhuara nga jashtë dhe përmes instrumenteve rajonale të Bankës për Ballkanin Perëndimor. Kosova u bë shtet anëtar dhe përfitues i Bankës në vitin 2012.