Hamza takon zv.presidentin e BERZh-it, i kërkon financimin e Qarkores së Prishtinës

Prishtinë | 20 Nën 2018 | 13:50 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka pritur sot në takim zëvendëspresidentin e parë të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) Jürgen Rigterink, i cili përmes këtij takimi hapi zyrtarisht vizitën e tij në Kosovë.

Me këtë rast, Ministri Hamza theksoi se BERZh-i vazhdon të jetë një ndër partnerët kyç dhe strategjikë të Kosovës për realizimin e projekteve të mëdha infrastrukturore.

Ai gjithashtu shprehu edhe një herë vullnetin e Ministrisë së Financave për të intensifikuar bashkëpunimin e deritanishëm me BERZh-in.

“Shfrytëzoj rastin të falënderojë Bankën Evropian për Rindërtim dhe Zhvillim për përkrahjen dhe bashkëpunimin e deritanishëm. Deri më tani ne si Kosovë i kemi rreth 150 milionë euro, po flas për sektorin publik, marrëveshjet e ratifikuara me BERZH-in, për financimin e shumë projekteve të cilat do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës”, tha Hamza, raporton Ekonomia Online.

Hamza tha se më parë, në Aman të Jordanisë, ka pasur rastin ta takojë presidentin e BERZH-it, me të cilin ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për financimin e disa projekteve në nivel lokal, siç është fabrika për trajtimin e ujërave të zeza në Gjilan dhe Mitrovicë. “Vlera e këtij memorandumi është 100 milionë euro”, ka thënë Hazma.

Gjatë takimit Ministri Hamza i dorëzoi zëvendëspresidentit Rigterink kërkesën për financim të Projektit për ndërtimin e Qarkores së Prishtinës, për të cilin pritet që marrëveshja financiare të përmbyllet vitin e ardhshëm.

Ndërsa, zëvendëspresidenti Jurgen Rigterink shprehu edhe një herë gatishmërinë e BERZh-it për ta mbështetur zhvillimin ekonomik të Kosovës përmes realizimit të projekteve prioritare për vendin.

“ Deri më tani shumë e përgjithshme e investimeve ka qenë rreth 60 projekte. Ne kemi parë që në Kosovë do të mund të rrisim edhe më tepër investimet në mënyrë që të kemi nga 50 deri 100 milionë në vitet e ardhshme. Ne do të kemi në fokus të veçantë vitet e ardhshme sektorin privat”, tha Rigterink.

Gjatë takimeve tjera të ardhshme që do të ketë ministri Hamza me zëvendëspresidentin Rigterink, gjatë vizitës së tij në Kosovë, pritet gjithashtu të diskutohet për progresin e projekteve të cilat janë në proces, duke identifikuar mundësitë për tejkalimin e sfidave si dhe diskutim për financimin e projekteve të tjera në sektor të ndryshëm në Kosovë, përfshirë këtu projekte për sektorin publik dhe privat.

Të ngjashme