Besa sfidon Dritën favorite

Prishtinë | 07 Pri 2018 | 12:35 | Nga

E shtuna pritet ta sjellë një luftë të madhe në kuadër të xhiros së 26-të të Superligës së Kosovës në futboll. Fjala është për përballjen ndërmjet Besës dhe Dritës, e cila do të zhvillohet në Pejë.

Në pyetje është një duel ndërmjet dy ekipeve me nam në futbollin kosovar, por të cilave sivjet pikët u nevojiten si uji në ambiciet e tyre diametralisht të kundërta. Drita është duke luftuar me të madhe për titullin e kampionit, kurse Besa po bën gjithçka që t’i shpëtojë rënies nga liga, gjë që është në rrezik të madh t’i ndodhë për herë të parë në historinë e lavdishme të saj, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Në fakt, gjilanasit janë në vendin e parë në renditje dhe tashmë e kanë marrë epitetin e favoritëve për titull të kampionit ani pse i kanë veç tri pikë më shumë se Prishtina. Prandaj, bardhekaltrit duan fitore të domosdoshme në Pejë për ta përforcuar pozicionin në krye të Superligës.

Ata vlerësohen favoritë të mëdhenj nëse merret parasysh krahasimi i kualitetit të lojtarëve apo fondet e futbollistëve që kanë këto dy skuadra. Mirëpo kjo nuk i intereson Besës, e cila ka paralajmëruar se do ta japë atomin e fundit për të fituar pikë ndaj Dritës, që i nevojiten jashtëzakonisht shumë.

Kjo pasi pejanët janë në zonën e barazhit, në vendin e dhjetë, me vetëm tri pikë më shumë sesa Flamurtari, që është në zonën më të rrezikshme. Për Besën tashmë e rëndësishme është shmangia e dy pozitave të fundit sepse është e vetëdijshme se evitimi edhe i barazhit është një mision gati i pamundur.

Kjo xhiro do të jetë mjaft e rëndësishme edhe për Feronikelin, i cili po të shtunën do ta presë në Drenas kampionen në fuqi Trepçën ’89, që i janë minimizuar gjasat për ta mbrojtur trofeun e çmueshëm.

Feronikeli aktualisht i ka tetë pikë më pak sesa kryesuesja nga Gjilani dhe ky takim konsiderohet “treni i fundit” për të shpresuar akoma në vendin e parë. Çdo rezultat tjetër përpos fitores në njëfarë mënyre e eliminon “Niklin” nga lufta e rëndësishme.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme