Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur një konferencë për medie, në lidhje me rekomandimet e ZRrE-së për ngritje të çmimeve të faturës, raporton Ekonomia Online.
Besian Mustafa i LDK-së ka thënë se mungesa e profesionalizmit, përgjegjësisë dhe vullnetit për punë e Qeverisë do të rëndojë kuletën e qytetarit duke rritur çmimin e faturës së energjisë elektrike për 42 për qind.
Ai ka thënë se pavarësisht tentimeve për të manipuluar, çmimet e rrymës do të rriten drastikisht.
Mustafa ka thënë se Qeveria ka qenë e njoftuar qysh në pranverën e vitit të kaluar për rritjen e çmimeve të energjisë, si dhe hapat që duhet të merren.
Ai ka thënë se mosveprimet e Qeverisë e detyrojnë ZRRE-në t’i rrisë çmimet e energjisë.
“Qeveria zgjodhi popullzimin e linçimin në kohë zgjedhjesh lokale për të fituar ndonjë votë. Paaftësia e Qeverisë për të menaxhuar me furnizimin me energji elektrike i ka kushtuar 20 milionë euro të ndara për KOSTT-in, 20 milionë euro për importin e energjisë, dhe 75 milionë euro për subvencionimin e energjisë”, ka thënë ai.
“Çmimet e faturës do të ngritën duke i vështirësuar jetën qytetareve. Qeveria ka qenë e njoftuar qysh në pranverë për rritjen e çmimit të energjisë dhe hapat që do të duhej të ndërmerrnin për zbutjen e energjisë. Paaftësia e qeverisë i ka kushtuar qytetarit 20 milionë euro. 115 milionë euro deri më tash e në anën tjetër 200 milionë dollarë refuzoi qeveria për termocentralin me gaz”, ka thënë Mustafa.
Ai ka thënë se me shtrenjtimi e energjisë elektrike dëmtohet edhe prodhimi vendor.
Sipas tij, prodhuesit do t’u duhet t’i rrisin edhe çmimet për shkak të kostos së lartë të prodhimit.
“Shtrenjtimi i energjisë dëmton edhe prodhimin vendor. Mos veprimet e qeverise do të dëmtojë rëndë ekonominë, prodhimin vendor dhe vendet e punës. Kur secila familje të merr faturën 42 për qind më shtrenjte, e atëherë pse nuk u kontraktua energjia gjatë verës. Më e keqja se qeveria nuk ka zgjidhje. Cilat janë planet pas tejkalimit të krizës. Çka do të ndodhë gjatë pesë vjetëve të ardhshme. Qeveria nuk ka dhënë se ka ode për të zgjidhur këtë problem. LDK do të angazhohet që të rriten kapacitet prodhuese të energjisë dhe fatura të jetë e përballueshme për secilën familje në Kosovë”, ka thënë ai.
Tutje, Mustafa tha se ngritja e çmimeve të energjisë nuk është faji i ZRrE-së por fajtor e bën Qeverinë, për siç ka thënë ai për mosveprim karshi kësaj problematike.
“Rezolutat në kuvend janë të mirëseardhura. Këto janë detyra të qeverisë. Problemi primar e kësaj krizë me këto çmime nuk janë faj i ZRrE-së por nga mos veprimet e qeverisë”, ka thënë Mustafa në këtë konferencë.