Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, thotë se i ka hyrë garës për t’u zgjedhur deputet, në mënyrë që nga aty të mund të adresojë çështje për të cilat angazhohet qe një kohë të gjatë, përfshirë reformimin e administratës e qeverisje më të mirë.
E çështja e parë të cilën zotohet se do ta shtyjë përpara me t’u bërë deputet i Kuvendit të Kosovës është nxjerrja e Ligjit për Prishtinën, natyrisht duke pasur përkrahjen dhe të kryeministrit, që ai beson se do të jetë kreu i partisë së tij, Ramush Haradinaj, dhe të deputetëve të koalicionit PAN.
“Në Parlamentin e Kosovës do t’i adresojë disa çështje për të cilat unë kam luftuar. Së pari, garantoj që Ligji për Kryeqytetin do të kalojë shumë shpejt; e dyta do të mundohem që të shtyjë shumë reformimin e administratës dhe mbi të gjitha konceptet e qeverisjes së mirë. Po ashtu, ajo për çka do të luftoj në Kuvend është që ta plasoj zërin e arsyes, zërin e argumenteve dhe mbi të gjitha ta lidh Kuvendin me Qeverinë e Kosovës”, ka thënë Tahiri, në një bisedë me Ekonomia Online.
Tahiri ka qenë dy herë kandidat i Aleancës për kryetar të Prishtinës. Kohëve të fundit më shumë i ishte përkushtuar punës në Institutin Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI), të cilin e kishte themeluar vetë. Por, Tahiri thotë se ka vendosur të kthehet aktivisht në politikë – një vendim ky që nuk ka qenë i lehtë për të.
“Nuk po hyj në garë për të plotësuar egon time, ngase ndjehem mjaftueshëm i përmbushur me punën, përkushtimin dhe suksesin tim profesional”, thotë Tahiri.
Garën për deputet e sheh shumë të rëndësishme, për momentet në të cilat po kalon vendi. “Qytetarët e vendit tim ndihen të lodhur, të dëshpëruar dhe të zhgënjyer me politikën – jo pa arsye”, kishte shkruar Tahiri, para disa ditësh.
“Kjo është një garë shumë e rëndësishme për mua personalisht, mirëpo edhe për kryeministrin e ardhshëm Ramush Haradinaj. Nga kjo garë pres që në radhë të parë të vazhdoj të prezantoj vizionin tim si deputet i ardhshëm në Kuvendin e Kosovës, të shpalos idetë e mia dhe vizionin tim dhe jam i bindur që në këtë garë do të triumfojnë njerëzit e mirë, do të triumfojnë një zë i artikuluar në të cilin unë mendoj që do ta plasoj përmes një aktivizimi shumë të madh si në Kuvend, po ashtu edhe përmes aktivizimit tim si qytetar”, ka thënë Tahiri.
Por, e di se zgjedhja deputet nuk do të jetë e lehtë. “Garojmë në tri beteja; e para është ndërpartiake; pastaj është beteja brenda listës, ku jemi disa parti dhe mbi të gjitha pastaj është bindja që unë duhet ta transmetojë te qytetari që të më votojë në listë”.
Tahiri vjen me platformën “Një zotim për transformim” ku në numracionin 64 ai shpalos programin e tij 6 zotime me nga 4 synime për transformime. Tahiri synon transformim të thellë të qyteteve përmes administratës efikase; zhvillimit të qëndrueshëm; mirëqenies dhe përkujdesjes; dijes dhe inovacionit; kulturës dhe turizmit.
Ai është optimist që kësaj herë do të triumfojë. “Jam me numrin 64; gjashtë edhe katër bëjnë dhjetë dhe do të kalojë mbi dhjetë”, shprehet ai, paksa në shaka.
Tahiri thotë se nga qeveria e ardhshme pret që të jetë shumë dinamike siç ka qenë ajo e vitit 2004-2005. Por shprehet gjithashtu i bindur se në qeverisjen e ardhshme kryeministri i vendit, siç e quan ai, Ramush Haradinajn, do të ketë në kabinet njerëz të përgatitur. Mbi të gjitha, sipas Tahirit, qeverisja e ardhshme duhet marrë “vendime të mëdha”.
“Qeveria Haradinaj, unë kam qenë pjesë e saj në vitin 2004 dhe 2005, ka qenë një qeveri shumë dinamike. Pres që kryeministri i ardhshëm i Kosovës, Ramush Haradinaj, në radhë të parë në kabinet të tij të ketë njerëz shumë të përgatitur, ekspertë, njerëz të cilët e dinë detyrën e vet, të cilët do t’i shërbejnë vendit dhe kauzës së tij, por mbi të gjitha pres që të ketë drejtësi që të ngjallet meritokracia dhe qeveria të marrë vendime, të ekzekutojë vendime dhe ato vendime të jenë në të mirë të vendit”.
“Vendi nuk është mirë, kemi probleme të mëdha. Shkop magjik nuk ka, mirëpo çka do të ketë jam i bindur do të ketë vendosmëri, do të ketë drejtësi dhe mbi të gjitha do të ketë qeverisje të mirë, transparente, që i nënshtrohet vetëm qytetarit dhe llogari i jep vetëm publikut”, ka thënë Tahiri, në këtë intervistë për Ekonomia Online.