Besnik Tahiri: Sistemi i pagave në katrahurë, Qeveria po nënvlerëson punën e profesionistëve në sektorin publik

Prishtinë | 01 Pri 2023 | 12:30 | Nga Ekonomia Online

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka ngritur shqetësimin e mijërave zyrtarëve publikë lidhur me kompensimin në paga, ku sipas tij ka dy muaj që Ligji i Pagave ka hyrë në fuqi, ndërkaq nuk dihet saktë se sa është paga për secilën pozitë. Sipas tij kjo ka
vetëm se ka sjellë paqartësi, pabarazi, por ka krijuar pasiguri të madhe tek ta.

Tutje, Tahiri u shpreh se në këtë kohë krize, përtej halleve ditore, kjo paqartësi është nënvlerësim i punës, e këtu më së shumti preken profesionistët që po zgjedhin ta lënë sistemin publik.

Reagimi i plotë:

Mijëra zyrtarë publikë, edhe dy muaj pas, nuk e dinë sa i kanë pagat, kush merr shtesa, në cilin rangim janë. Kjo, jo vetëm se ka sjellë paqartësi, pabarazi, por ka krijuar pasiguri të madhe tek zyrtarët publikë. Në çdo institucion publik, është krijuar atmosferë e zymtë, diskutimi kryesor është se sa është paga, pakënaqësi e dëshpërim. Vendimmarrësit në vend se të shtrijnë komunikimin, kanë vendosur nga muaji në muaj të nxjerrin një arsyetim.

Në këtë krizë, përtej halleve ditore, kjo paqartësi është nënvlerësim i punës, e këtu më së shumti preken profesionistët që po zgjedhin ta lënë sistemin publik. Për të arritur një nivel të tillë përgatitje duhet prej 3-5 vjet, e ka raste si në shëndetësi deri në 6-10 vjet. Që i bie, se ne po rrezikojmë funksiononet vitale të sektorëve. Me urgjencë, duhet që të procedohen pagat sipas ligjit, të vendoset komunikim e dialog për të siguruar qëndrueshmërinë e sistemit, e për të parë presionin që po vjen nga trendi i largimit të profesionistëve.

Të ngjashme