Irlanda dhe Argjentina, njëri shtet në Europë dhe tjetri në Amerikën Jugore, këto ditë pothuajse u kanë dhënë fund kufizimeve strikte ligjore kundër abortit të cilat ndalonin nxjerrjen e fetusit nga barku i nënës edhe kur rrezikohej jeta e saj. Këto akte që i kanë dhënë goditje ndikimit të religjionit në këto shoqëri, janë mirëpritur nga grupe që mbrojnë të drejtat e njeriut, si Amnesty International.
Në Kosovë aborti është legal që nga viti 2009, pra mund të kryhet në rrethana që parashihen me ligj, por kundërshtohet ende fort nga institucionet fetare.
Kosova ka kohë që i ka dhënë fund njërës prej temave sociale, abortit, që ende
nxit debate të zjarrta në shumë shumë vende të botës.
Natyrisht, kosovarët, për këtë nuk e kanë thënë fjalën e tyre në ndonjë referendum, mbase për faktin nuk ishte aq shumë tabu pasi ish-Jugosllavia, ku bënte, pjesë edhe Kosova e kishte legalizuar në gjysmën e dytë të viteve 70’të.
Sot, mbi 25% e popullatës së botës jetojnë në shtete ku aborti është ilegal, si në Amerikën Latine, Afrikë dhe Azi. Aktualisht, në Bashkimin Evropian, është vetëm Malta që nuk e ka të legalizuar abortin. Legalizimi i abortit mund të parandalojë vuajtjet e panevojshme dhe vdekjet e grave.
Në shumë nga këto vende gratë vdesin nga aborte të pa sigurta dhe në vende të tmerrshme se ku bëhen ndërprerjet e shtatzënisë.
Kosova, këtë cështje e ka kryer në vitin 2009, nëpërmjet Ligjit mbi Ndërprerjen e Shtatzënisë. Me që aborti në Kosovë është legal, nuk ekziston rrezikshmëria e dënimit, apo pamundësia në qasje të institucioneve të duhura shëndetësore për të përfunduar një shtatzëni.
Por, në Kosovë për abortin flitet dhe diskutohet shumë pak. Mungon një informimi i duhur nëpër shkolla rreth mjeteve preventive që parandalojnë shtatzëninë e padëshiruar. Ka po ashtu shumë raste kur gratë kryejnë abort në klinika të pasigurta për shkak të frikës se mund të merret vesh identiteti i tyre. Kjo është një çështje drejt së cilës duhet të punojnë që të gjithë institucionet së bashku në mënyrë që të ruhet në
konfidencialitet, emri i pacientes. Por, si është e rregulluar kjo cështje në Kosovë në aspektin ligjor dhe shëndetësor? Dr. Fehmi Ahmeti, gjinekolog në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka folur për Gazetën Expres rreth çështjes së abortit.
Ai ka thënë se shtatzënia sipas Ligjit mbi Ndërprerjen e Shtatzënisë mund të ndërprehet deri ne javën e 10-të pa pasur ndonjë arsye të posaçme, ndërsa në rastet kur fetusi ka ndonjë anomali të pa përputhshme me jetën aborti mund të bëhet deri në javën e 14. Ai ka shpjeguar se në rastet kur një grua bën disa abortime, çdo ndërprerje e shtatzënisë mund të përcillet me ndërlikime, e ato janë në radhë të parë gjakderdhja, infeksione të ndryshme,dëmtimi të qafës së mitrës etj.
Sa i përket çështjes se në cilat vende mund të bëhet ndërprerja e shtatzënisë, Dr.Ahmeti ka thënë se kjo mund të bëhet në spitalet e nivelit dytësor dhe tretësor, mirëpo edhe në institucione të tjera jo publike të cilat kanë marrëveshje me Entin e transfuzionit të gjakut. Por, religjioni ose fetë janë ato që nuk e pranojnë abortin dhe shkojnë aq larg duke e cilësuar atë si krim. Ato, pa ndonjë përjashtim nuk e pranojnë abortin siopsion dhe e kundërshtojnë atë, e arsyetojnë vetëm në disa raste specifike.
Por, cfarë thonë teologët në Kosovë rreth abortit?
Për Gazetën Express lidhur me këtë temë ka folur edhe Mulla Osman Musliu i cili ka thënë në fenë islame aborti ka të bëjë direkt me qenien apo jetën e një krijese. “Në disa hadithe përmendet çështja e fëmiut në barkun e nënës me ermin xhenin, si dhe koha kur mund të e quajmë atë (xheninin) fëmijë ose njeri, çështja kryesore është pikërisht koha kur fillon njeri” ka thënë Mulla Osmani.
Sipas tij, nëse “xhenini”, pas një kohe të caktuar konsiderohet njeri atëherë kjo konsiderohet si mbytje e një krijese të Zotit, dhe si e tillë nuk është e lejueshme. Sa i përket lejimi të abortit, Mulla Osmani ka thënë se ka disa raste kur lejohet dhe lehtësohet, dhe është kur konstatohet se kur nënës së fëmijës i rrezikohet jeta.
Një pikëpamje pak a shumë e ngjashme vjen edhe nga Kisha Katolike e Kosovës, Don Fatmir Koliqi ka thënë se Kisha Katolike ka pasur një qëndrim të qartë dhe të pandryshueshëm për abortin që nga shekulli i saj i parë.
Sipas tij, aborti konsiderohet akt kundër jetës së njeriut në stadin e saj të parë. “Është akt moralisht i rëndë, një e keqe morale” ka thënë ai. Ai ka thënë se Kisha nuk e arsyeton heqjen e fëmijës në rast të dhunimit. “Në raste kur shtatzënia vjen si pasojë e dhunës- mendoj si një krim- siç është dhuna fizike dhe seksuale, nuk mund të “ndreqet dhuna” duke ja marr jetën një të pafajshmi, pra, me një krim tjetër.
Ngjashëm mund të aplikohet edhe për raste tjera që kanë karakteristika të përbashkëta me këto” ka përfunduar ai. Të dhënat zyrtare janë shumë më të vogla se sa është numri i vajzave dhe grave që bëjnë abort, pasi që shumë prej këtyre e kryejnë abortin ne klinika private.
Vajzat e reja janë më të predispozuara të kryejnë abort, për shkak të problemeve me partneret e tyre, ose se ata nuk duan të e pranojnë fëmijën, dhe ato gjenden në një situatë kur nuk kanë mundësi ekonomike për të e mbajtur atë fëmijë. Një tjetër arsye e madhe se pse shumë vajza të reja vendosin të abortojnë është për shkak te opinionit të rrethit kur një vajzë e pa martuar sjellë një jetë një fëmijë./GazetaExpress/