Kulmi i bibliotekës kombëtare “Pjetër Bogdani” nuk u bën ballë reshjeve as pas investimeve prej 700 mijë eurosh para më shumë se një dekade.
Rreth 13 vjet pas intervenimit në kupola, udhëheqësit e këtij institucioni e konsiderojnë si çështje emergjente ndërhyrjen në pjesën e rrafshët të kulmit, shkruan sot “Koha Ditore”.
Kësisoj, 173 mijë eurot që sivjet Ministria e Kulturës ka ndarë për rinovimin e objektit të Bibliotekës planifikohet që fillimisht të përdoren për ndërhyrjet në kulm. Por as këto nuk e zgjidhin problemin e objektit të këtij institucioni me vërshimet. Ndërhyrjet për t’i bërë çare ujit që rrjedh nëpër bodrumet e kësaj biblioteke nuk janë në kuadër të investimeve të planifikuara për sivjet.
Meqenëse objekti i Bibliotekës është aset i trashëgimisë kulturore, proceduralisht ai duhet të miratohet nga Komisioni për ndërhyrjet konservuese dhe restauruese i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.
“Në vitin 2003 apo 2004 janë rinovuar kupolat, e vlera e investimit ka qenë rreth 700 mijë euro”, ka thënë drejtori Fazli Gajraku.
Gazeta disa herë ka raportuar se gjendja në bodrumet ku ruhen rreth 2 milionë ekzemplarë librash, gazetash, revistash e njësi të tjera nuk është aspak e mirë. Pesë “burime” uji janë lehtë të identifikueshme në katin e parë të bodrumit.