Biden përshëndet çeljen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për në BE

Prishtinë | 19 Kor 2022 | 16:27 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, e ka përshëndetur çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në një deklaratë të tij të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, shefi i shtetit më të fuqishëm në botë, thotë se BE po ndërmerr hapa të rëndësishëm për të çuar përpara integrimin e Ballkanit Perëndimor në komunitetin euroatlantik, transmeton Klankosova.tv.

Për më shumë, ja deklarata e plotë e presidentit amerikan, Joe Biden për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut:

”Shtetet e Bashkuara mirëpresin hapat e rëndësishëm që Bashkimi Evropian po ndërmerr për të çuar përpara integrimin e Ballkanit Perëndimor në komunitetin euroatlantik duke hapur bisedimet e pranimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në një moment kur Rusia ka shkatërruar paqen në Evropë, është më e rëndësishme se kurrë të mbështesim aspiratën për një Evropë të plotë, të lirë dhe në paqe. Një Ballkan Perëndimor demokratik, i sigurt dhe i begatë mbetet thelbësor për këtë vizion. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë një partner i fortë dhe i besueshëm ndërsa ato vende punojnë për të mbrojtur të drejtat e njeriut, për të forcuar reformat demokratike dhe për të mbështetur sundimin e ligjit. Hapat që BE, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë ndërmarrë ditët e fundit duhet të frymëzojnë të gjithë aspirantët e BE-së në rajon për të rritur angazhimin e tyre për forcimin e demokracive të tyre”.

Të ngjashme