Biden pritet ta njohë masakrën ndaj armenëve si gjenocid

Prishtinë | 22 Pri 2021 | 14:19 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, pritet ta njohë zyrtarisht masakrën e armenëve nga Perandoria Osmane gjatë Luftës së Parë Botërore, si një akt gjenocidi.

Kështu raportojnë agjencitë Reuters dhe Asocciated Press (AP), duke u thirrur në burime të paidentifikuara. Vendimi mund të zemërojë Turqinë dhe të tensionojë edhe më shumë lidhjet mes aleatëve të NATO-s.

Njohja e gjenocidit nga ana e Bidenit do të shënonte shkëputje nga qëndrimi i ekuilibruar amerikan për këtë çështje.

Më 24 prill, Biden pritet të lëshojë një deklaratë, në të cilët do ta përdorë termin “gjenocid”.

“Siç unë e kuptova ai (presidenti Biden), mori vendim dhe do të përdorë fjalën gjenocid në deklaratën e tij”, tha një burim i njohur me këtë çështje, raporton Reuters.

Megjithatë, duke pasur parasysh rëndësinë e lidhjeve dypalëshe me Turqinë, në minutën e fundit, presidenti Biden mund të tërhiqet nga përdorimi i këtij termi, thanë këto burime.

Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, u tha gazetarëve se Shtëpia e Bardhë mbase do të thotë më shumë në lidhje me këtë çështje të shtunën, por nuk pranoi të shtjellonte më tutje.

Një vit më parë, derisa ishte ende kandidat për president, Biden përkujtoi 1.5 milionë burrat, gratë dhe fëmijët armenë që humbën jetën në vitet e fundit të Perandorisë Osmane dhe tha se ai do të mbështeste përpjekjet për t’i njohur këto vrasje si një gjenocid.

“Nëse zgjidhem, zotohem se do të mbështes një rezolutë që njeh gjenocidin ndaj armenëve dhe do t’i bëj të drejtat universale të njeriut një përparësi kryesore”, pati thënë Biden.

Në vitin 2019, Senati i SHBA-së miratoi një rezolutë jo-detyruese duke njohur vrasjet si një gjenocid, një vendim që zemëroi shumë Turqinë.

Të mërkurën, një grup prej më shumë se 100 anëtarësh të Kongresit, nënshkruan një letër drejtuar presidentit Biden, përmes së cilës i bënë thirrje atij që të njohë zyrtarisht mizoritë e epokës së Luftës së Parë Botërore si gjenocid.

“Heshtja e turpshme e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara mbi faktin historik të gjenocidit armen, ka zgjatur për shumë kohë dhe duhet të marrë fund”, shkruajnë ligjvënësit në këtë letër.

Turqia pranon që shumë armenë u vranë në përleshje me forcat osmane gjatë Luftës së Parë Botërore, por kundërshton shifrat dhe mohon që vrasjet ishin orkestruar sistematikisht dhe se përbëjnë një gjenocid.

Për dekada, masat për njohjen e gjenocidit armen kanë ngecur në Kongresin e SHBA-së dhe presidentët janë përmbajtur nga përdorimi i një termi të tillë.

Presidenti turk, Reccep Tayip Erdogan kishte krijuar një lidhje të ngushtë me ish-presidentin e SHBA-së, Donald Trump, por Erdogan ende nuk ka folur me Bidenin që kur ky i fundit u bë president më 20 janar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme