Bideni sot do të nënshkruajë dhjetë urdhëra ekzekutivë për luftimin e pandemisë

Prishtinë | 21 Jan 2021 | 13:31 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, do të ndërmarrë një numrë të iniciativave sot për të ndihmuar në luftën kundër pandemisë së koronavirusit. Në ditën e tij të parë të plotë si president i SHBA-së, sot, ai do të bëjë luftën ndaj pandemisë prioritet.

Bideni do të nënshkruajë dhjetë urdhëra ekzekutivë për të luftuar pandeminë, përfshirë urdhërimin që të përdoren fondet për katastrofave për të ndihmuar në rihapjen e shkollave dhe do të bëjë të obligueshme mbajtjen e maskave edhe në aeroplanë e autobusë, kanë thënë zyrtarët, raporton agjencia Reuters.

Presidenti demokrat, që është inaguruar dje, e ka vendosur betejën ndaj pandemisë në krye të listës së prioriteteve, nga një sërë sfidash që e presin, përfshirë këtu edhe rindërtimin e ekonomisë së rënuar dhe adresimin ndaj çështjes së padrejtësisë racore.

Biden të mërkurën nënshkroi 15 vendime, që janë të dizajnuara për të përmirësuar gjërat dhe për t’u distancuar prej disa nga politikave që kishte ndjekur administrata e Donald Trumpit.

Në to përfshihet mbajtja e maskave në pronat federale dhe po ashtu të ndalohet tërheqja nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Po ashtu u rikthye në marrëveshjen e Parisit për klimë dhe shfuqizoi vendimin e Donald Trumpit për të ndaluar udhëtimet për në SHBA prej disa prej shteteve me shumicë myslimane.

Të enjten, ai do të nënshkruajë edhe një seri të urdhërave ekzekutivë të lidhura me pandeminë, duke kërkuar që të mbahen maskat në aeroporte dhe në transporte të caktuara publike, përfshirë në trena, aeroplanë, dhe në autobusë.

Ai po ashtu planifikon të krijojë një bord për testim për COVID-19, për të rritur kapacitetet testuese dhe të krijojë protokolle për udhëtarët ndërkombëtarë dhe të drejtojë resurcet për komunitetet minoritare të goditura rëndë. Koronavirusi ka shkaktuar vdekjen e më tepër se 400 mijë personave në SHBA.

Biden po ashtu ka premtuar të ofrojë 100 milionë doza të vaksinës anti-COVID gjatë 100 ditëve të tij të para në administratë. Ai planifikon të rrisë ritmin e vaksinimit.

Biden po ashtu do të lëshojë një direktivë të enjten me qëllim për t’iu bashkuar programit COVAX që ka synim ofrimin e vaksinave për shtetet e varfëra, ka thënë këshilltari i tij mjekësor, Anthony Fauci.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme