Migrimi i qytetarëve të Kosovës pavarësisht përceptimit se ka shënuar rritje, sipas të dhënave zyrtare ka pasur rënie. Por kombinimi i disa faktorëve e mban të gjallë dëshirën për largimin nga vendi.
Sipas një raporti të publikuar nga Ministria e Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, thuhet se për periudhën 2013-2017 mesatarisht në vit kanë emigruar deri në 35 mijë qytetarë të Kosovës. Përgjatë viteve 2013 – 2017, nga Kosova, sipas këtyre të dhënave, të cilat kanë si burim Agjencinë e Statistikave të Kosovës, kanë emigruar më shumë se 170 mijë qytetarë. Në këto të dhëna është përfshirë emigrimi i rregullt dhe i parregullt dhe se një numër i konsiderueshëm emigruan duke kërkuar azil.
Trendi i emigrimit në Republikën e Kosovës thuhet në këtë raport, ka pasur një rritje të vazhdueshme deri në vitin 2016, në një kohë që pas vitit 2016 emigrimi ka shënuar rënie të konsiderueshme.
Numri më i madh i qytetarëve, të cilët kanë migruar nga vendi gjatë kësaj periudhe ka qenë në vitin 2015, kur nga Kosova emigruan mbi 75 mijë qytetarë, shumica prej tyre në formë të parregullt. Në vitin 2017 emigrimi ka shënuar rënie dhe atë në rreth 12 mijë qytetarë. Pjesa më e madhe e emigrantëve për vitin 2017, ishin emigrantët të rregullt dhe arsyet ishin: bashkimi familjar, martesat, punësimi, studimi, etj.
Rinia me tendencë largimi
Autoritetet përgjegjëse në Kosovë vazhdimisht kanë bërë thirrje se ikja jashtë vendit është sakrificë që nuk ia vlen. Por shumë të rinj osovarë, për shkak të, se siç thonë ata, mosperspektivës në vendin ku jetojnë duan ta braktisin Kosovën.
Njëri prej tyree është Drilon Rexhepi, student në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës. Ai thotë se ka shpresuar se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, gjërat do të ndryshojnë, por edhe kjo periudhë e shtetësisë nuk ka sjellë perspektivë për të rinjtë. Për këtë arsye, Rexhepi thotë se me dëshirë do ta lëshonte Kosovën. “Kudo tjetër do të shkoja, vetëm jashtë Kosovës. Në Kosovë nuk ka perspektivë për të rinjtë. Këtu është bërë njëjtë si të përfundosh fakultetin si të mos shkosh fare, prapë pa punë mbetesh”, shprehet Driloni.
Një faktor tjetër që e nxit dëshirën e largimit është edhe mungesa e lëvizjes së lirë të qytetarëve në Kosovë. Për Vigan Aliun, një i ri nga Prishtina ky është izolim. “Do ta braktisja Kosovën për shkak të izolimit dhe mos lëvizjes së lirë. Kjo është arsyeja ime kryesore. Në Kosovë nuk është jeta e mirë për të rinjtë. Në të gjitha institucionet, qoftë edhe në institucionet arsimore, ekziston nepotizmi. Edhe regjistrimi i studentëve realizohet në bazë të këtij fenomeni. Është katastrofë ”, thotë Aliu.
Fakte për migrimin
Në Kosovë migrimi daton që nga vitet ‘60, por largimi masiv ka ndodhur gjatë viteve 1998- 1999, gjatë luftës në Kosovë. Pas luftës, migrimi ka qenë i stimuluar nga kushtet e vështira socio –ekonomike, thonë njohës të çështjes së migrimit dhe sociologët. Njohësi i çështjes së migracionit në Kosovë, Sylë Sefaj thotë se ekzistojnë dy faktorë kryesorë që po ndikojnë në motivimin e qytetarëve të Kosovës për të migruar jashtë vendit. Sipas tij, ata janë faktorët shtytës dhe tërheqës.
“Faktorë nxitës dhe tërheqës për të emigruar jashtë vendit janë mundësitë që po ofrojnë shtetet evropiane si Gjermania. Këto shtete po ia lehtësojnë mundësitë e punës qytetarëve të shteteve të tjera, për të plotësuar numrin e punëtorëve që atyre atje iu mungojnë. Po ashtu edhe kushtet e vështira socio-ekonomike i shtyjnë ata që të migrojnë në drejtim të shteteve të huaja.”, thotë Sefaj.
Sektori më i prekur nga emigrimi i rregullt është që ai i shëndetësisë. Këtë gjë e kanë theksuar kohë më parë edhe politikanët kosovarë. Megjithatë, sipas njohësit për çështjen e migrimit Sylë Sefaj, të drejtën për të migruar në mënyrë të rregullt e ka secili njeri.
“Esenca është që të ndalohet migrimi i parregullt, e drejta për migrim është e drejtë e secilit të vendos vetë se ku dëshiron të jetoj. Qëllimi i Republikës së Kosovës është ende që të ndalohet emigrimi i parregullt, dhe në vitet e fundit kemi pasur rritje të numrit të qytetarëve që kanë emigruar drejt shteteve evropiane në mënyrë të rregullt.”, shprehet Sefaj.
Edhe Sociologia Bukurije Rrustemi mendon, se trendi i migrimit është në rritje e sipër. Arsyen e gjithë kësaj ajo e sheh tek gjendja socio-ekonomike. Bukurije Rustemi, njëherësh edhe udhëheqëse e organizatës joqeveritare ‘Iniciativa për Veprime Sociale’, pohon se trendi për të migruar në vendet perëndimore, ka qenë aktual që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë.
Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës rregullisht deklarojnë, se koha e migrimit ilegal ka përfunduar dhe se Kosova është në procesin e liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian, për lëvizje të lirë në shtetet anëtare të Bashkimin Evropian.
Sipas tyre, migrimi duhet bërë në forma ligjore, duke përfshirë këtu migrimin për qëllime studimi, punësim sezonal, shkëmbime eksperience, si dhe trajnime të ndryshme. Krahas aspektit, sociologja Bukurije Rustemi sheh edhe faktorë të tjerë si zhgënjimin, mosbesimin në institucionet shtetërore, pasiguria shtetërore, mungesa e perspektivës për një jetë më të mirë, arsyet politike, cilësia e dobët e arsimit që ofrojnë institucionet edukative në vend, nepotizmi, klientelizmi dhe korrupsioni si fenomene, të cilat e kanë ngulfatur jetën në këtë vend. Por nuk mungojnë as shkaqet kulturore dhe trend aktual i fluksit të emigrimit që nënkupton se ‟po dalim të gjithë edhe po e provojmë”, përfundon Rrustemi.