Një punëtor i një kompanie të çimentos, ka mbetur i vdekur si pasojë e rënies nga 40 metra lartësi, derisa ishte duke punuar në Han të Elezit.
Viktima është 35-vjeçar dhe është shtetas i Shqipërisë, ndërkaq lajmin për Express e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Agim Gashi.
“Rreth orës 10:45 policia është njoftuar për një rast një punëtor i cili ka qenë duke i kryer disa punë në fabrikën e çimentos në Han të Elezit, në rrethana ende të panjohura ka rënë në brendësi të sillosit, nga lartësia 40 metra. Policia ndihma e shpejtë kanë dalë në vend të ngjarjes, pasi njësiti emergjent e kanë tërhequr trupin, mjeku kujdestar ka konstatuar se i njëjti ka ndërruar jetë”, ka bërë të ditur Gashi.
Gashi ka theksuar se me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Ndërkaq ai ka theksuar se policia po e trajton rastin si “Hetim mbi vdekjen”.