Me 50 vota për është votuar mocioni i mosbesimit të Qeverisë së Malit të Zi të drejtuar nga Dritan Abazoviqi.
Mocioni ishte iniciuar nga partia e Millo Gjukanoviqit, DPS, pasi Abazoviq kishte nënshkruar Marrëveshjen Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.
Për shkarkimin e Qeverisë votuan 50 deputetë të pranishëm, ndërsa një ishte kundër.
Në votim nuk morën pjesë deputetët e Frontit Demokratik, Partisë Popullore Socialiste dhe të koalicionit “E zeza mbi të bardhë”, si dhe deputeti i Demos, Miodrag Lekiç.
Iniciativa për mosbesimin ndaj qeverisë së Abazoviqit është paraqitur nga 36 deputetë të DPS-së, Partisë Socialdemokrate, Partisë Liberale, Socialdemokratëve dhe disa partive të tjera, pasi Abazoviqi nënshkroi Marrëveshjen/Kontratën Themelore me Patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe.
Seanca për shkarkimin e Qeverisë Abazoviq zgjati afro 13 orë, ndërsa pati debate të ashpra.