Vendosja e taksës 100 për qind nga Qeveria e Kosovës për produkte të mallrave me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina, ka bërë që importi nga këto dy vende të bjerë për mbi 88 për qind.
Nga afro 47 milionë euro sa ishte vlera e mallit të importuar nga Serbia në dhjetor të 2017-s, në dhjetor të 2018-s ajo kanë rënë në 5.3 milionë euro, shkruan Koha Ditore.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave tregojnë se importi nga vendet e CEFTA-s, pjesë e së cilës janë edhe Serbia dhe Bosnjë- Hercegovina kanë rënë për 46 për qind në dhjetor apo 42.3 milionë euro. Për dallim nga muajt e kaluar, kur Serbia ishte partnerja kryesore tregtare e Kosovës nga vendet e CEFTA-s, kjo gjë ka ndryshuar në dhjetor, duke bërë që Maqedonia dhe Shqipëria të jenë importueset më të mëdha të mallrave.
Gjatë dhjetorit nga Maqedonia janë importuar mallra në vlerë 17.4 milionë euro apo 5 milionë euro më shumë sesa në dhjetor të 2017. Ndërsa rritje më të madhe në krahasim me dhjetorin e 2017-s ka pasur nga Shqipëria. Nga 10.8 milionë euro vlera e mallrave të importuara nga ky vend ka arritur në gati 17.4 milionë euro.