Të ardhurat nga taksat e qeverisë gjermane dhe të 16 shteteve federale, gjatë muajit prill, u ulën për rreth 39 miliardë euro apo 23.5%, për shkak të pandemisë së koronavirusit, thuhet në raportin mujor të ministrisë së Financave të Gjermanisë.
Ekonomia më e madhe e Evropës po përballet me recesionin e saj më të rëndë që nga Lufta e Dytë Botërore, pasi masat për parandalimin e sëmundjes kanë penguar aktivitetet publike dhe biznesin.
Të dhënat tregojnë se situata mbase do të jetë e vështirë edhe gjatë muajve të ardhshëm, tha ministria.
Rënia e të hyrave ishte më theksuar nga taksat e të ardhurave, korporatave dhe trafikut ajror.
Ndikimi i pandemisë në të ardhurat nga taksat ishte vërejtur në muajin mars, por tani është përshpejtuar.
Ministri i Financave në Gjermani, Olaf Scholz, tha në fillim të këtij muaji se kriza në të ardhurat tatimore nuk do ta ndalojë qeverinë të paraqesë një paketë stimuluese për të ndihmuar kompanitë të rimëkëmben nga kriza e koronavirusit.
Gjermania ka miratuar një paketë fillestare shpëtimi me vlerë më shumë se 750 miliardë euro, për të lehtësuar ndikimin e pandemisë në ekonomi.
Gjermania është zhytur në recesion pasi pësoi tkurrjen e saj më të madhe tremujore, që nga kriza financiare e vitit 2009.
Ekonomia u tkurr me 2.2% në tre muajt e parë të vitit 2020, pasi dyqanet dhe bizneset u mbyllën, në mes të marsit, për të luftuar përhapjen e koronavirusit.