Bien të hyrat nga tatimi në disa komuna të Kosovës

Prishtinë | 06 Kor 2016 | 09:00 | Nga

Raporti tremujor financiar për buxhetin e Republikës së Kosovës i hartuar nga Ministria e Financave tregon se në komunat e Kosovës ka pasur rënie të arkëtimit të tatimit në pronë, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Sipas një komunikate të organizatës joqeveritare “Ec Ma Ndryshe”, të hyrat nga tatimi në pronë, si të hyrat e vetme tatimore komunale, në këtë tremujor sipas MF-së kanë shënuar një rënie prej 8 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2015.

“Pothuajse të gjitha komunat kanë pasur rënie të inkasimit të tatimit në pronë, me përjashtim të këtyre komunave: Lipjan, Podujevë, Prishtinë, Dragash, Rahovec, Suharekë, Pejë, Skenderaj, Gjilan, Kaçanik, Viti, Partesh, Hani i Elezit dhe Kllokot”, thuhet në këtë komunikatë.

Më tej, EMN-ja, sipas raportit të MEF-it, bën të ditur se nga komunat e mëdha, Komuna e Prizrenit ka rënien më të madhe të arkëtimit të tatimit në pronë, në tre muajt e parë të këtij viti. Ndryshimi me periudhën e njëjtë të vitit paraprak është minus 43 për qind, apo vetëm 350 mijë euro, në krahasim me 620 mijë euro sa ka qenë arkëtimi në 3 muajt e parë të 2015-s.

Komuna e Mitrovicës në tre muajt e këtij viti ka arkëtuar 110 mijë euro nga tatimi në pronë, derisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kishte arkëtuar 130 mijë euro, apo 15 për qind më pak. Ferizaj ka pasur një rënie prej 7 për qind. Në tre muajt e këtij viti ka arkëtuar 250 mijë euro nga tatimi në pronë, derisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kishte arkëtuar 270 mijë euro. Edhe Gjakova ka pësuar rënie në masën e njëjtë me Ferizajn. Në tre muajt e këtij viti ka arkëtuar 280 mijë euro nga tatimi në pronë, derisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kishte arkëtuar 300 mijë euro.

“EC Ma Ndryshe vitin e kaluar e ka pasur parasysh faktin se trendi i ulët i arkëtimit të të hyrave nga tatimi në pronë është ndikuar nga vendimi i pushtetit qendror për faljen e borxheve publike. Mirëpo rënia e arkëtimit të tatimit në pronë në këtë vit nuk mund të arsyetohet”, thuhet në komunikatë.

Në këtë kontekst, kjo organizatë ka kërkuar që komunat me performancë të dobët në tremujorin e parë t`i shtojnë përpjekjet për përmirësimin e arkëtimit të tatimit në pronë, në mënyrë që ato mjete më pastaj të shfrytëzohen për investime në projekte.
“Komunat e Kosovës dhe Ministria e Financave rekomandohen që të zhvillojnë fushata informuese për qytetarët dhe subjektet tjera lidhur me nevojën e pagesës së faturave të tatimit në pronë”, thuhet në komunikatën e “Ec Ma Ndryshe”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme