Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se ka një kusht të fundit për tu bërë pjesë e dialogut me Serbinë.
Shefi i deputetëve të LDK-së ka deklaruar të hënën se para vazhdimit të dialogut, duhet të ketë marrëveshje për zgjedhje të reja dhe qeveri gjithëpërfshirëse.
Një opsion është parë edhe formimi i një Qeverie teknike, në të cilën do të përfshiheshin të gjitha partitë.
Kjo pa shkuarje në zgjedhje.
Por një qeveri teknike po shihet absurde nga shefi i Grupit Parlamentar të Nisma-së, Bilall Sherifi.
Sipas tij një Qeveri Teknike nuk mund të zgjidh një prej çështjeve më të rëndësishme që ka Kosova, e që është dialogu me Serbinë.
Sherifi në një prononcim për Gazetën Blic ka thënë se për dialogun duhet një qeveri super politike dhe në asnjë moment teknike.
Një opsion të tillë Sherifi e ka quajtur si absurde.
“Kërkesa për Qeveri teknike është absurd i llojit të vet, ngase po kërkohet qeveri teknike për të zgjidhur çështjen më të rëndësishme që ka vendi, pra dialogun, e që është çështja më e rëndësishme pas pavarësisë së vendit.Për dialog na duhet një qeveri politike, madje jo politike por super politike, dhe në asnjë variant qeveri teknike.Pra kjo ka një kundërthënie brenda vetës” i ka thënë Sherifi Gazetës Blic.
Megjithatë Sherifi ka thënë se nëse LDK vërtet është e interesuar për tu bërë pjesë e dialogut, ai është pro një Qeverie gjithëpërfshirëse, por me këtë qeveri që është tani në fuqi.
Sherifi ka thënë se ai personalisht do lobonte edhe brenda NISMA-së, edhe brenda Qeverisë që LDK ti bashkohej kësaj qeverie, madje në këtë ofertë Sherifi ka thënë se do caktonte edhe datën e zgjedhjeve.
“Ajo çka mundem me thanë unë është që nëse LDK do që të bëhet pjesë e dialogut ajo mund ti bashkohet kësaj Qeverie,dhe kështu do të ishim edhe më të bashkuar dhe unifikues për dialogun. Madje në marrëveshjen për hyrjen e LDK-së në Qeveri do fusnim edhe datën e zgjedhjeve të parakohshme, por vetëm pasi të mbarojmë punën e dialogut” është shprehur Sherifi.
Ai ka insistuar se udhëheqës qeverie duhet të jetë Ramush Haradinaj.
Ndërsa nga Partia Social Demokrate kanë mohuar përfshirjen në një Qeveri të tillë.
Shpend Ahmeti ka thanë se ai nuk do të bëhet pjesë e qeverisë, por se nuk do ta ndihmojë as PDK që ta rrëzoj Qeverinë Haradinaj për shkak të taksës.
“Ne kemi dhënë dhe vazhdojmë të japim mbështetje politike për taksën dhe jemi pjesë e delegacionit shtetëror për dialogun. I kemi thënë edhe LDK-së e VV-së, se nuk do ta ndihmojmë Listën Serbe për ta rrëzuar Qeverinë për shkak të taksës. Tani i themi edhe PDK-së se me ndihmën tonë nuk do ta rrëzojnë e as kërcënojnë AAK-në – si presion ndaj Kryeministrit për ta larguar taksën.” ka thënë Ahmeti.