Kur mbaroi lufta, ish-presidenti i SHBA-s Bill Klinton, gjatë vizitë në Kosovë, pat thënë: “E fituat luftën-duhet ta fitoni paqen”. Ishte kjo një porosi e qartë për të gjithë ata që marrin vesh pak në politikë. Me një falë, pas përfundimit të një lufte, nisi kjo tjetra, në tavolinë, që lë përshtypjen se është më e vështirë se e para. Fillimisht, nisi mbrapsht procesi i decentralizmit në kohën e administratës së UNMIK-ut, që ishte sinjal se paria e vendit, jo vetëm që nuk e merrte seriozisht betejën e pasluftës, por jepte sinjale serioze se për këtë ishte edhe e paaftë, për faktin se problemeve me Serbinë nisi t’ju qasej në stilin e bajraktar- leqeve , pa u lëshuar në seriozitetin e tyre. Që në fazën kur u paralajmëruan këto bisedime, Kosova ishte e mbushur me struktura paralele, dhe nuk kishte as kushte elementare për fillimin e tyre. Ato, në fillim u shpallen si biseda teknike, që ishte një mashtrim që i bëhej popullit, e të cilat në fakt ishin kryesisht politike. Nisen bisedimet në periudhën kur në kuadër të institucioneve, strukturat e partive politike serbe, që dolën nga zgjedhjet e para nacionale u kuqen nëpër institucionet tona dhe prej tyre kishte edhe zëra se bisedat duhej të bëheshin me ata, jo me Serbinë, për t’i ndrequr hallet e popullatës pakicë të ciklës i përkisnin. Në atë fazë ishte edhe propozimi i partisë opozitare Lëvizjes Vetëvendosje, se me “Beogradin nuk kishim çka të bisedonim, por këto biseda duhej zhvilluar me pakicën serbe”, gjithnjë pasi të ishin eliminuar strukturat paralele serbe që vepronin në vend. Me një fjalë, nuk u përfillen asnjëra nga këto propozime, madje edhe sugjerimet e Hillary Klintonit, gjatë vizitës në Prishtinë, dhe ajo e diplomates gjermane Ankela Merkel, të cilat për këto biseda kërkonin vëmendje të shtuar. Mirëpo, në vend të këtyre sugjerimeve nisen bisedat, pa marrë edhe pëlqimin e Kuvendit të Kosovës, drejtpërdrejt me Beogradin zyrtar, përplot enigma dhe pa u njoftuar masa e gjerë e cila edhe sot gjendet e hutuar dhe e pa informuar se çka në të vërtetë do të ndodhë me fatin e vendit. Kolonat e gjata të “negociatorëve” udhëtonin në qendrat e bisedimeve. Mbushin xhepat me mëditje nga paratë e taksapaguesve, kurse popullata e painformuar sodiste këto skena pa ditur se në të vërtetë çka po ndodhë, siç vepron edhe sot. Ajo, në saje të mjegullnajave të zhvilluara , sot, nuk di gjë as për rastin e Demarkacionit, se cili është realiteti.
Asaj, popullatës, po i ndodhë edhe tash, e njëjta gjë, kur po thuhet se “në javët e ardhshme do të diskutohet dhe negociohet substanca e Marrëveshjes përfundimtare”. Shtrohet pyetja: Cilat ishin efektet e marrëveshjeve të deritashme në Kosovën për plot enklava, dhe cila është përmbajtja e Marrëveshjes përfundimtare ? Nuk besoj se këtë gjë, sot, e di kush në Kosovë. Dhe kështu si enigmë, që është, ekziston rreziku potencial, që Kosova të rrëshqas në mashtrimin e radhës i cili ndodhet te pragu, siç ishte mashtrimi për bisedat teknike. Rreziku për vendin, që shpie drejt boshnjakizimit apo coptimit na sillet mbi kokë. Këtë rrezik po e sjellin bisedat me Beogradin zyrtar siç e pollën Listën Serbe, që është kundër integrimit të serbëve në institucionet e vendit, mbi bazën e Kushtetutës së Kosovës.
Prandaj, është kohë e fundit që popullata, inteligjenca, institucionet dhe subjektet politike t’ia vënë gishtin kokës dhe të analizojnë mirë gjendjen në të cilën tashmë është vendi dhe ta thonë shtruar se në emër të Kosovës dhe të gjeneratave askush nuk mund të vendos, madje as presidenti Thaçi, sepse lumi i gjakut ndër breza nuk është derdhur kot. Populli dhe institucionet e vendit nuk duhet të heshtin por t’ia përkujtojnë Serbisë gjenocidin që bëri mbi shqiptarët e Sanxhakut të Nishit, në vitin 1876/77, kur brenda një viti pastroi etnikisht nga shqiptarët mese 700 fshatra shqiptare, por edhe krimet dhe spastrimin etnik që e bërë në luftën e Kosovës. Ndaj, mbi këtë bazë, ajo duhet t’i ndërpres veprimet e saja që shpijnë në ndarjen e Kosovës, sepse në gjë e tillë është në interes të dy vendeve.