Ka disa muaj që dëgjoj interpretime e analiza rreth tipologjisë së lidershipit politik nga diskursi që graviton në Kosovë dhe përderisa si një studiues i shkencave të politikës, do të prisja që në këtë kuadër të dëgjoja tek flitej për sistemet klasike të autoriteteve politike dhe stilit të lidershipit, kam hasur në diçka krejt të veçantë: “bishën politike”.
Mbase për faktin se qëndrimi jo partizan politik ndaj grupeve politike, e njëkohësisht jo neutral ndaj politikës si sferë, nuk të rezervon domosdoshmërish një vend aty ku flitet për politikën dhe ku stilizohen tiparet e lidershipit, për “bishën politike” kam dëgjuar të flitet gjithandej jashtë zyrave e mureve të politikës.
I sfiduar nga kjo përvojë e re për të hasur në diçka që duket e panjohur por njëkohësisht intriguese, për javë me radhë i jam rikthyer librave, si mjeti përmes së cilit transmetohet dija politike nga një gjeneratë në tjetrën, duke kërkuar “gjurmët e bishës”, kësaj qenie politike që është bërë trend.
Fillimisht e kërkoja tek tiparet e autoritetit konservator dhe nuk ishte aty. E kërkoja tek tiparet liberal demokratike dhe nuk ishte as aty. E kërkoja tek tiparet libertare-socialiste dhe as aty nuk ishte. Nuk ishte as tek utopistët socialistë dhe as thjeshtë tek ata që forcën e kishin mënyrë jetese.
Diku do të duhej të ishte fshehur por nuk e kapja dot. Madje më çudiste fakti se si ka mundësi që një “bishë politike” të kishte tipare të “bishës”, e njëkohësisht të fshihej nga librat e historisë politike dhe të psikanalizës politike të personaliteteve.
Në një moment të caktuar, mu kujtua “zo’on politicon” i Aristotelit. Mbase kjo ishte formula. Por Aristoteli me “kafshën e tij politike” nuk kishte në mend një “bishë politike”. Ai kishte në mendje thjeshtë, natyrën e njeriut si qenie e shoqërueshme dhe të cilit i duhej shoqërizimi si kusht për mbijetesë.
Në këto rrethana, pyetja që tundon është “kush është bisha”? Çfarë e bën atë “një bishë politike”?. Çfarë thonë ata që e përshkruajnë karakterin e tij/saj?
“Bisha politike” me gjasë është një emërtim krejt i rastësishëm i dikujt që në një moment të dëlirit, me këtë emër ka dashur të përshkruajë disa figura politike që janë “të fuqishëm politikisht”, sepse ata dinë të mobilizojnë masa të gjera mbështetësish. Pra, “bisha” është një lloj figure politike që duket se rrëmben çdo gjë para vetës, përballë të cilit nuk ka qëndresë politike dhe as shpjegim konkurrues. “Bisha” fiton çdo kund dhe në çdo vend, sepse ai ose ajo është për nga natyra, i destinuar të fitojë përballë krijesave të rëndomta njerëzore.
Për të qenë i/e tillë, “bisha” duhet të ketë doemos një aparaturë gjuhe të fuqishme politike për të interpretuar rrethana të caktuara, si dhe fuqi për të përplasur realitete konkrete me anë të një qëndrimi përbuzës ndaj çdo gjëje që është cak i tij/saj, si dhe një qëndrimi moralizues përballë çdo gjëje që është e tij/saj.
“Bisha” s’ka frikë. Bisha mund t’i shpjerë masat përtej mjegullës. Ai/ajo mund t’i sigurojë ata se përderisa është “bishë” të tjerët janë “lepuj”. “Bisha” nuk ka nevojë për të arsyetuar asgjë, sepse si “bishë” nuk njeh parimin e argumentit. “Bisha” njeh vetëm parimin e instinktit. Fundja, ç’është demokracia, pos një procedurë formale e vendimmarrjes, në të cilën gara bëhet për të mbrojtur interesa e jo për të drejtuar agjendën shoqërore të një vendi.
Në realitet, nuk ka fare rëndësi nëse një karakter i tillë “bishe politike” është i pranishëm apo i ngjason dikujt në Kosovë, por rëndësi ka se ç’duhet të bëjë “demokracia” përballë një karakteri të tillë, nëse i tilli vërtetë shfaqet.
Si përfundim, kuptoj se “bisha” është një produkt i fantazisë së kampeve politike që kanë iluzione se shoqëria e Kosovës nuk mund të drejtohet në një mënyrë normale, si një demokraci qytetare me parimet e republikanizmit. Në këtë mentalitet imagjinar, duhet medoemos një “bishë” për t’i ndarë hesapet, sepse demokracia nuk është e mjaftueshme për ta bërë një gjë të tillë.
Kjo mënyrë e të perceptuarit të “shpëtimit shoqëror” përmes një “bishe” kushdo qoftë se pretendon se është ose mund të jetë në të ardhmen, është dezertim nga vizioni politik shtet formues i qytetarëve të Kosovës dhe investim për të shpërbërë garancitë kushtetuese e politike që qytetarët e Kosovës i gëzojnë si persona individual, pa qenë nevoja të jenë domosdoshmërish “masë e drejtuar nga një bishë”.
Me aq sa dëgjoj dhe kuptoj simptomat shoqërore, sot qytetarët e Kosovës më për së afërmi janë të interesuar për garanci sociale, ekonomike si dhe për të pasur një hapësirë zhvillimi që nuk i detyron ta lëshojnë atdheun. Ofertat politike rrjedhimisht, duhet të jenë oferta konkrete që vijnë përmes pretendentëve të vetëdijshëm për këto nevoja, e jo përmes “bishave politike” që nuk i kuptojnë këto nevoja, ndërsa në vend të tyre, kuptojnë vetëm tagrin e frikës së qytetarëve, si mënyrën mbi të cilën mund të ndërtohet një autoritet politik që mundëson rrugë të shpejtë për t’iu rrokur pushtetit, e për ta përdorur atë sa më gjatë që është e mundur.
Punë, arsim, shëndetësi, ekonomi, siguri, drejtësi, kulturë: këto me gjasë janë parullat që qytetarët e Kosovës i kërkojnë me ngulm. Ata s’kanë dëgjuar për “bishën” dhe as që duan të dëgjojnë për të.
E të gjitha këto tipare të një shoqërie moderne, nuk mund të realizohen pa i marrë seriozisht. Jeta është çështje serioze. 10 vite politike në jetën e shtetit mund të mos jenë shumë të mëdha, por në jetën e një qytetari janë më të mëdha se çdo gjë tjetër.