Bislimi: BE me qëndrim jo shumë parimor për targat

Prishtinë | 01 Nën 2022 | 18:05 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, deklaroi se ishte një qëndrim joparimor nga Bashkimi Evropian, kur në vend që të përqendrohej në zbatimin e vendimit për targa, më tepër janë marrë me datën 1 nëntor.

Sipas Bislimit, kjo datë nuk ka asgjë të bëjë me marrëveshjen e Brukselit.

“Mendoj se data 1 nëntor ka fituar peshë të cilën nuk e meriton”, tha zëvendëskryeministri Bislmi, sipas të cilit, kjo ndodhë për dy arsye.

“E para për shkak të brengës që ka ekzistuar në komunitetin ndërkombëtar për potencialin destruktiv që ka Qeveria në Serbi, e cila mezi pret që të krijojë trazira në veri e bashkë me këtë edhe fushatën e fuqishme dezinformuese, përfshirë edhe kërcënimet ndaj qytetarëve serbë”, tha Bislimi për RTK-në, duke shtuar se veprime të tilla, kanë zvogëluar gatishmërinë e qytetarëve serbë që brenda afatit, të konvertojnë targat e tyre ilegal ne ato legale.

“E nga ana tjetër nga një qëndrim ndoshta jo shumë parimor të BE-së, të cilët që nga fillimi, në vend që të përqendrohen në mbështetje të zbatimit të këtij vendimi, në mënyrë joracionale janë marrë më datën e 1 nëntorit”, tha Bislimi për RTK-në.

Ai thotë se ka pasur debat që në fillim nga ana e përfaqësueseve të BE-së, ku është përcaktuar nevoja për shtyrje të afatit, e nuk ka pasur ndonjë argumentim të mirëfilltë për këtë.

“Përndryshe, data 1 nëntor, është si çdo datë tjetër, ku kemi një vendim të qeverisë që nuk ka të bëjë asgjë me marrëveshjen e Brukselit dhe dialogun, për arsye se vendimi është marrë atëherë kur procesi i dialogimit në Bruksel ka përfunduar pa sukses, në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare”.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislmi deklaroi se për këtë arsye, tani kur ka vetëm përfundim të këtij afati, atëherë tani ecin afatet tjera.

Bazuar në vendimin e Qeverisë së Kosovës, plani për çështjen e targave që lëshohen nga Serbia, e që përmbajnë akronime të qyteteve të Kosovës, do të zbatohet në disa faza.

Plani i Qeverisë së Kosovës i publikuar me 28 tetor, parasheh që nga 21 prilli i vitit të ardhshëm “të hiqen” të gjitha targat që nuk janë RKS- Republika e Kosovës.

Kështu, për tri javë, duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit.

Pastaj, nga 21 nëntori, për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes.

Më pas, nga 21 janari do të jenë targa provuese për dy muaj të tjerë.

E krejt në fund, nga 21 prilli nuk mund të ketë më automjete që qarkullojnë me targa të tilla.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, por edhe zyrtarë të tjerë të Kosovës, vazhdimisht u kanë bërë thirrje qytetarëve serbë të Kosovës që t’i konvertojnë targat ilegale me ato të ligjshme.

Të ngjashme