Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar se ekzekutivi ka ndërmarrë disa hapa që e mbështesin ekonominë në komunat veriore, ndërsa këto komuna i sheh me potencial për gjenerimin e energjisë së ripertritshme, raporton Ekonomia Online.
Në tryezën e organizuar nga Qendra për Dialog Humanitar me temën “Zhvillimi ekonomik për serbët në Kosovë”, numri dy i Qeverisë foli edhe për Rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës. Me këtë vendim, Bislimi tha se ka për synim rritjen e sigurisë të sistemit bankar dhe sistemit të pagesave.
Bislimi ka shtuar se elementi i parë ka qenë proporcion tejet i madh i shfrytëzimit të monedhave 500 euro në qarkullim.
Ai tha se përvojat e muajit të kaluar, kanë treguar se rregullorja e BQK-së ishte e qëlluar.
“Hapi i parë është mbështetja që i ofrojmë ndërmarrjeve, ne këtë e bëjmë përmes programeve të mbështetjes së subvencioneve ne mënyre indirekte. Një mbështetje tjetër që e bëjmë është edhe përmes rritjes së ekonomisë. Mbështetja tjetër është edhe fuqizimi i kërkesës agregate. Dhe shtylla e katërt është mbështetja direkte e projekteve infrastrukturore e cila mbështet përmes tri kanaleve. Kemi dizajnuar një projekt shumë të madh të BE-së, një program i cili do të mbështeste bashkëpunimin dhe koordinimin e komunave me shumicë serbe me komunat tjera”, tha ai.
E sa i përket Rregullores së BQK-së për dinarin serb, zëvendëskryeministri ka deklaruar se nuk ka pasur qëllim që të merret me as një monedhë dhe se ky vendim është marrë për t’i mbrojtur qytetarët nga paratë false.
Ai ka shtuar se e treta ka qenë çështja e importimit e eksportimit të monedhave në tërësi, përfshirë edhe dollarëve amerikanë, lekëve shqiptarë e dinarit serb.
“Të gjitha monedhave në Kosovës, për të cilat duhet vendosur një ligjshmëri. Kjo është kërkesë e Procesit të Berlinit, ku kërkohet përdorimi i mekanizmit SEPA nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, e nuk mund të anëtarësohesh këtu pa arritur të konsolidosh sistemin e pagesave brenda territorit të Kosovës. Jemi të vetëdijshëm se në afatshkurtër, zbatimi i kësaj mase do të krijojë vështirësi për një pjesë të qytetarëve që kanë marrë e vazhdojnë të marrin mbështetje financiare nga Republika e Serbisë. BQK-ja ka nxjerrë një varg aktivitete e masa që synojnë të zbusin këtë ndikim. Në ditët në vijim edhe Qeveria do të dalë me listë prej 10 masave”, ka shtuar Bislimi.
E ministri për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, foli për masat që i ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës për ndihmesën nga komunitetit serb që jetojnë në Kosovë.
“Mbi të gjitha dua të ju kujtoj që në vitin e kaluar kemi publikuar për herë të parë konkurs publik, kishim rreth 3500 qytetarë që kishin aplikuar. Nga këto 3500 persona ka pasur kategori të ndryshme por që një numër të tyre të madh kemi arritur që t’a pranojmë aplikimin, për ndërtim shtëpish. Kemi dashur që për herë të par të i qasemi problemin dhe jo ta bëjmë ad-hoc që të kemi konkurse. Vitin e kaluar për herë të parë kemi nisur punën për data bazën për të gjithë të kthyerit. Shkurti i viti të kaluar ka treguar që ne jemi të hapur dhe ka treguar që të gjitha ata që kanë të drejt mund të na drejtohen. Dhe strategjia që është miratuar që ka një peshe financiare rreth 32 milionë euro, në 4 vitet e ardhshme do të jetë për kategoritë nga këto 32 milionë euro do të kemi edhe programin ekonomik dhe për kthim”.
Gordana Doriq, nga Shoqata e Grave Afariste “Avenija”, tha se gjendja ekonomike në mjediset serbe është kaotike, ndërsa vendimet që i ka ndërmarrë Qeveria i quajti të tmerrshme. Tha se me këto vendime po ndihmon me largimin e serbëve.
“Për sa i përket gjendjes ekonomike në gjendja është kaotike dhe kjo po zgjatë për shumë vite. Këto fjalë që i dëgjova janë tregime të bukura por sinqerisht nuk kanë për të dhënë ndonjë efekt të madh që seriozisht do të ndodh zhvillimi ekonomik në mjediset serbe. Ne në këto vite, nuk kemi ndjerë këtë për më tepër qeveria e tashmë edhe hapat që po i ndërmerr për këto dy vite është e tmerrshme. Ajo po e fuqizon largimin e serbëve nga këto dhe jo fuqizimin e serbeve. Është dëmtuar ekonomia edhe me këto vendime shkelin edhe shumë marrëveshje të tjera. Ndalimi i dinarit sa do që ka arsye ky është vendim ad-hoc, me ndërprerjen e dinarit ju krijoni një situatë kaotike”, tha ajo.
Fjala e plotë e zëvendëskryeministrit Bislimi:
Faleminderit shumë për mundësinë që sot bashkë ne ministrin Rashiq dhe me kolegët e miqtë e nderuar të shoqërisë civile të diskutojmë bashkë për mundësitë për zhvillim ekonomik. Për mua është edhe një avantazh për arsye se kjo temë përputhet dhe me idetë që unë kam nisur nga background-i im, që mendoj se nuk ka mënyrë më të mirë për të thelluar bashkëpunimin dhe integrimin sesa kur flitet për zhvillimin ekonomik edhe rritjen e punësimit. Dhe unë mendoj që kontributi më i mirë që mund të bëjmë në këtë drejtim është që edhe çështjen e integrimit të komuniteteve jo shumicë ta trajtojmë me të njëjtat kritere siç është edhe kriteri për avancimin ekonomik të të gjithë popullatës së Kosovës. Ajo që ne bëjmë në gjithë pjesën e Kosovës, mendoj që duhet të jetë prioritet edhe kur bëhet fjalë për angazhimin e Qeverisë drejt mbështetjes së zhvillimit ekonomik në komunat me popullatë shumicë të komunitetit serb. Kisha dashur që shkurtimisht në hyrje me i përmend mekanizmat përmes të cilëve ne veprojmë.
Hapi i parë është mbështetja që iu ofrojmë ndërmarrjeve, qoftë ndërmarrjet organizuese shoqëri aksionare, qoftë ndërmarrjet e krijuara nga vetëpunësimi i ndërmarrësve të vegjël. Ne këtë e bëjmë përmes programeve të mbështetjeve me grante dhe subvencione në mënyrë direkte, apo qoftë në mënyrë indirekte, duke mbështetur krijimin e vendeve të punës, që këto subjekte e mundësojnë.
Ne kemi parë javën e kaluar vizitën e ministrit Rashiq bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati, në veri të Kosovës, ku kanë prezantuar platformën e re, me të cilën synohet krijimi i 2000 vendeve të punës, duke subvencionuar deri 70 për qind të pagës apo deri në 350 euro për një periudhë prej 6 muajve. Feedback-u që ne kemi marrë, është që kjo masë është pritur jashtëzakonisht mirë në veri dhe është shumë me rëndësi të potencojmë që kalkulimet e tanishme të ministrisë janë, që potenciali për të gjeneruar vende të reja të punës është diku 2000, por në qoftë se ne e shohim që ka gatishmëri dhe interesim të ndërmarrësve për të krijuar më shumë vende të punës, kjo masë lirisht mund të zgjerohet edhe për 2000 vende tjera dhe çka është shumë me rëndësi, është që, një masë e tillë mundet lirisht të zgjerohet edhe në komunat e tjera me shumicë serbe në pjesën tjetër të Kosovës.
Një mbështetje tjetër [hapi i dytë], që ne i bëjmë fuqizimit të bizneseve në këto komuna, është edhe përmes rritjes së formalizimit të ekonomisë dhe mendoj që në këtë kontekst duhet parë edhe idenë e masës së prezantuar nga ministri Rashiq, meqë teknikisht për Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, çdo vend i punës që lajmërohet, qoftë vend i ri ose formalizim i vendeve ekzistuese, do të trajtohet njësoj, pra kriteri për vlerësim do të jetë njësoj, por formalizimi nënkupton që edhe transaksionet, të cilat performohen nga pjesëmarrësit në këtë gjiro ekonomike, duhet të regjistrohen të gjitha, sepse vetëm në këtë mënyrë sigurohet edhe barazia e konkurrencës. Andaj, në këtë dritë duhet interpretuar edhe rregullorja e Bankës Qendrore, për të cilën do të flas pak më vonë.
Elementi tjetër [i tretë], përmes së cilit ne mbështesim fuqizimin e sektorit të ekonomisë nëpër komuna, është edhe përmes fuqizimit të kërkesës agregate. Të gjitha programet e qeverisë gjatë vitit 2022 dhe 2023 kanë synuar një rishpërndarje të të ardhurës kombëtare e cila ka shkuar nga buxheti drejt atyre kategorive të shoqërisë të cilat kanë një tendencë më të madhe për të konsumuar prodhime vendore. Do të thotë në qoftë se ne ndajmë mjete buxhetore për pensionistët apo për fëmijët, probabiliteti që këta do ta shfrytëzojnë këtë fuqi blerëse shtesë për të blerë prodhimet lokale është më i madh dhe në këtë mënyrë pastaj, në mënyrë indirekte fuqizohet ekonomia vendore.
Edhe shtylla e katërt që për mua është shumë e rëndësishme, mbështetja direkte e projekteve infrastrukturore të cilat mbështeten përmes tri kanaleve, dy prej të cilave janë në kontroll të Qeverisë së Kosovës. Kanali i parë është buxheti i alokuar për komunat të cilat e kanë qartazi kategorinë e investimeve kapitale, qoftë ato të karakterit lokal qoftë të karakterit ndër regjional dhe synimi i këtyre investimeve është që krahas përmirësimit të jetës së qytetarëve ta rrisim edhe konkurrueshmërinë e bizneseve.
Përshembull në qoftëse ne e përmirësojmë infrastrukturën rrugore në Zubin Potok kjo e shpejton periudhën e dërgimit të mallrave apo produkteve që fermerët e Zubin Potokut i prodhojnë drejt tregjeve në pjesët e tjera të Kosovës dhe me këtë e rrit edhe shansin që ata të mund të gjenerojnë të hyra shtesë. Kanali i dytë përmes së cilave mbështetet infrastruktura kryesisht vlen vetëm për katër komunat në veri të Kosovës, është fondi i mirëbesimit, në të cilin derdhen mjetet buxhetore që ne i grumbullojmë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak dhe përdoren për investime sipas kërkesës së lidershipit komunal të drejtuar në një panel ku pastaj votimi bëhet nga përfaqësues i BE-së në Kosovë, ministri i Financave dhe përfaqësuesi i katër komunave në veri të Kosovës.
Edhe shtylla e pestë që është më rëndësi është fuqizimi indirekt i ekonomisë përmes rritjes së efikasitetit, kjo bëhet duke e luftuar korrupsionin, kontrabandën e të tjera, që krijon hapësirë për lulëzim të subjekteve të cilat veprojnë në dakordim me ligjin. Përveç kësaj ne jemi në një fazë të projektimit dhe ideimit të projekteve më të mëdha infrastrukturore p.sh. të gjitha të dhënat tregojnë se komunat e Leposaviqit dhe Zubin Potokut ka potencial mbi proporcional për gjenerim të energjisë së ripërtëritshme por kjo kërkon fonde pastaj më të mëdha dhe në bashkëpunim edhe me BE-në.
Por ne për momentin jemi duke testuar edhe mundësitë e qeverisë, por edhe gatishmërinë e bizneseve të huaja dhe serioze që të hyjnë në këtë treg dhe të krijojnë hapësirë për gjenerim të energjisë së ripërtëritshme në katër komunat në veri të Kosovës.
Po them matjet tregojnë se ka potencial të madh. Po ashtu kemi dizajnuar dhe punojmë në ndërtimin e kapaciteteve tona absorbuese, një projekt shumë më të madh të bashkëpunimit me Bashkimin Evropian i cili mund të jetë qoftë pjesë e Planit të Rritjes, qoftë edhe e IPA-ve vjetore, ose mund të jetë pjesë e konferencës së donatorëve që pritet të organizohet në momentin kur ka një zbatim të kënaqshëm të Marrëveshjes Bazike mes Kosovës dhe Serbisë, të dakorduar me 27 shkurt të vitit të kaluar.
Një program i cili do të mbështeste koordinimin dhe bashkëpunimin e komunave me shumicë serbe me komunat tjera të Kosovës, edhe atë në tri rrafshe. Bashkëpunimin ndërkomunal për ofrimin e përbashkët të shërbimeve të caktuara komunale, le të themi një kompani e ujësjellësit në Shtërpcë që do të bashkëpunonte me një kompani të ujësjellësit apo të grumbullimit të mbeturinave në Ferizaj.
Pastaj, pjesa tjetër do të ishte shtylla e bashkëpunimit të ndërmarrjeve ekonomike mes këtyre komunave dhe shtylla e tretë, intensifikimi i bashkëpunimit mes organizatave të shoqërisë civile të komunave me përbërje të ndryshme etnike.
Tek vendimi apo rregullorja e Bankës Qendrore e cila është publikuar me 27 dhjetor të vitit të kaluar, kemi potencuar disa herë që rregullorja nuk e ka objektiv, as nuk merret me asnjë monedhë që është në qarkullim. Fokusi kryesor sipas interpretimeve të Bankës Qendrore, ka qenë rritja e sigurisë së sistemit bankar dhe sistemit të pagesave dhe kjo siguri ka qenë e atakuar nga tri elemente.
Elementi i parë ka qenë nga një proporcion tejet i madh i shfrytëzimit të monedhës së 500 eurove në qarkullim, e dihet që monedha të tilla në një ekonomi relativisht të vogël si Kosova, zakonisht përdoren kur kemi të bëjmë me transaksione jashtë ekonomisë formale, dhe përvojat e muajit të kaluar tregojnë që kjo brengë e Bankës Qendrore ka qenë shumë legjitime meqë për shumë pak javë Banka Qendrore ka nxjerrë nga qarkullimi 165 mijë monedha nga 500 euro që është në total diku 83 milionë euro. Mund ta paramendoni për një ekonomi si të Kosovës, sa do të thotë kjo për sigurinë e transaksioneve në ekonominë formale.
Pjesa e dytë ka të bëjë me mbrojtjen e konsumatorëve nga qarkullimi i monedhave fallco dhe ju jeni dëshmitarë se në kohët e fundit kemi një atakim i cili nuk vjen nga Kosova, por hyrja e monedhave fallco vjen nga vendet fqinje të Kosovës, por kjo krijon pastaj telashe për të gjithë përdoruesit e monedhës euro.
Dhe e treta ka të bëjë me importin dhe eksportin e monedhave në tërësi, jo vetëm të euros, por të gjitha monedhave, përfshirë edhe dollarin amerikan, lekun e Shqipërisë, dinarin e Serbisë, do të thotë të gjitha monedhave në Kosovë, për të cilët duhet të vendoset ligjshmëri. Kjo është edhe kërkesë e procesit të Berlinit, ku kërkohet përdorimi i mekanizmit SEPA nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe nuk mund të anëtarësohesh këtu pa arritur të konsolidosh sistemin e pagesave brenda territorit të Kosovës.
Ne jemi të vetëdijshëm që në afat të shkurtër zbatimi i kësaj mase mund të krijojë vështirësi për një pjesë të qytetarëve të cilët kanë marrë dhe vazhdojnë të marrin mbështetje financiare nga Republika e Serbisë. Banka Qendrore ka nxjerrë një varg të aktiviteteve dhe masave me të cilat synon ta zbusë këtë ndikim, e në ditët në vijim edhe Qeveria e Republikës së Kosovës do të dalë me një listë prej 10 masave, me të cilat ne do të tregojmë se si do të kujdesemi që qytetarët të mos dëmtohen në këtë fazë kalimtare, por fazë e cila do të garantonte pastaj zbatimin në plotni të formalizimit të sistemit të pagesave.
Edhe njëherë faleminderit shumë për mundësinë. Mendoj që është një fillim i mbarë që të fokusohemi më shumë në ekonomi dhe drejt gjenerimit të vendeve të punës, sepse kjo është strategjia më e mirë për të siguruar një integrim të qëndrueshëm të secilit prej nesh.
Po përfundoj me konkluzione edhe njëherë që qytetarët e Republikës së Kosovës mund të ecin vetëm me atë ritëm me të cilin ecin edhe pjesëtarët e minoriteteve, andaj e shohim edhe obligim të shumicës në Kosovë që të punojë më shumë drejtë integrimit dhe zhvillimit të bashkëpunimit me pjesëtarët e minoriteteve tjera në Kosovë.
Faleminderit shumë edhe njëherë.