Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier.
Ambasadori Hovenier e përgëzoi dhe uroi zëvendëskryeministrin Bislimi mbi finalizimin dhe arritjen e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe nënshkrimit zyrtar duke e cilësuar ditën e djeshme të suksesshme.
Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi ambasadorin dhe theksoi se Qeveria do të nisë një fushatë informimi për qytetarët si dhe do të forcojë mekanizmat koordinues institucionalë e do të bashkëpunojmë dhe me partnerët tanë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati dhe partneri strategjik kryesor i Republikës së Kosovës. Thellimi i marrëdhënieve mes dy shteteve tona është objektiv primar dhe vizita e zëvendëskryeministrit Bislimi me ministrin Murati javën e kaluar në SHBA e riafirmoi dhe synimin për të vazhduar fuqizimin e marrëdhënieve ekonomike dhe shkëmbimeve tregtare mes nesh.
Në takim u diskutua dhe mbi procesin e dialogut dhe implementimin e Marrëveshjes Bazë të normalizimit të marrëdhënieve dhe Aneksit të Zbatimit. Zëvendëskryeministri Bislimi potencoi se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar, aktive dhe konstruktive në këtë proces.