Kompania greke OTE, e cila është nën kontrollin e gjermanëve, njoftoi shitjen e Telekom Albania për 50 milionë euro te investitori bullgar Spas Roussev dhe investitori shqiptaro-bullgar Elvin Guri për 50 milionë euro. Telekom kishte fitime të pashpërndara prej 352 milionë eurosh më 2017.
Kompania greke e telekomunikacionit OTE njoftoi të mërkurën se ka arritur marrëveshjen për shitjen e aksioneve të saj në Telekom Albania për 50 milionë euro te kompania Albania Telecom Invest AD. Sipas njoftimit për shtyp, kjo e fundit është e kontrolluar nga biznesmeni bullgar Spas Roussev, i cili njëkohësisht ka pronësinë e paketës kontrolluese të telekomit bullgar Vivacom si dhe nga Elvin Guri, një investitor shqiptar në bullgari.
Telekom Albania u themelua fillimisht si kompani shtetërore e komunikimeve celulare me emrin Albanian Mobile Communication (AMC). Ajo u privatizua në masën 85% për 85.6 milionë dollarë në vitin 2000 dhe u ble nga kompania greke Cosmote. AMC u bë kompania më fitimprurëse në Shqipëri për shumë vite. Fitimet e saj shënuan kulmin në vitin 2009 me 12 miliardë lekë (100 milionë euro).
Kompania u hetua disa herë nga Autoriteti i Konkurrencës bashkë me operatorët e tjerë celularë për koordinim në treg dhe abuzim me pozicionin dominues. Ajo përfundoi në duart e gjermanëve në mënyrë indirekte kur këto të fundit morën kontrollin e OTE dhe u ribrandua si Telekom Albania më 2015.
Vitet e fundit nuk ecën mirë nga pikëpamja financiare për këtë kompani. Nga viti 2010 e pas, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike e Postare ndërmori masa rregullatore të cilat hapën konkurencën në tregun celular ndërsa përhapja e internetit krijoi një alternativë për shqiptarët për telefonatat në distancë të largët duke gërryer bazën e të ardhurave të komunikimeve celulare.
Në vitin 2017, të ardhurat e tre kompanive të komunikimit celular në Shqipëri, Telekom Albania, Vodafone dhe Albtelekom ranë me gati 9% në 257 milionë euro në krahasim me vitin paraardhës ndërsa të tri kompanitë mbyllën vitin e dytë rradhazi me humbje.
Pavarësisht kësaj, Telekom Albania kishte rreth 44 miliardë lekë fitime të pashpërndara (352 milionë euro) në fund të vitit 2017, sipas bilancit të saj financiar të publikuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Qeveria shqiptare u përball me akuza se po favorizonte “oligarkët” përmes uljes së tatimit mbi dividentin nga 15% në 8%.
Spas Roussev është një biznesmen kontrovers bullgar që njihet për një histori të gjatë lidhjesh me politikanë të ndryshëm bullgarë, financierë rusë si dhe anëtarë të botës së krimit të organizuar.
Kompania e tij e telekomunikimit Telelink ka një shtrirje të fortë në tregun e telekomunikacionit në Bullgari. Blerja e tij më e rëndësishme është ajo e Vivacom më 2014-2015, një nga tre rrjetet e telekomunikimit celular në Bullgari dhe pasardhësi i kompanisë bullgare të telekomunikacionit në konsorcium me VTB Capital dhe Delta Company të ish ministrit të financave Milen Velchev.
Velchev dhe Roussev kanë një histori të gjatë sëbashku, duke filluar që nga fillimi i viteve 2000, kur një skandal shpërtheu pasi u publikuan foto të Velchev dhe Ivan Todorov – i njohur si Doktori – një trafikant famëkeq i cili më pas u vra. Fotot ishin nga një jaht në Monako, i cili ishte marrë me qira nga Roussev për të ndjekur garën e Formula 1.
Roussev u bë i njohur në publik si “kumbari” i shumë financierëve të rinj, përfshirë Velchev, i cili u soll nga Londra në vitet 2001-2005, kur kryeministri Simeon Saxe-Coburg-Gotha po kërkonte të rinj për qeverinë e tij.
Ky biznesmen ka interesa edhe në sektorin e hotelerisë, pasi bleu hotelin Radisson në Sofie dhe pjesë të Hilton-Sofia në vitete 2012 dhe 2013. Ai është gjithashtu pronar i skuadrës së futbollit Levski të Sofies, gjë që është parë si një favor politik në shkëmbim të realizimit me sukses të marrëveshjes për Vivacom.