Blanco, artisti që do të performojë këtë vit në Sunny Hill Festival

Prishtinë | 09 Kor 2026 | 13:21 | Nga Ekonomia Online

Edhe pak javë kanë mbetur nga nisja e festivalit më të madh të muzikës, Sunny Hill Festival i cili këtë vit do të mbahet nga 31 korriku deri më 2 gusht.

Lista e plotë e artistëve të edicionit të sivjetmë tashmë është finalizuar dhe një mori yjesh globalë pritet të dhurojnë spektakël për adhuruesit e festivalit.

Në mesin e yjeve të njohur që vijnë në Sunny Hill Festival është edhe këngëtari italian, Blanco.

Blanco është një nga artistët më të suksesshëm të muzikës italiane, i njohur për stilin e tij unik si dhe për zërin e tij karakteristik.

Në vitin 2022, ai përfaqësoi Italinë në Eurovision Song Contest së bashku me Mahmood, me këngën “Brividi”, e cila u vlerësua shumë nga adhuruesit e festivalit.

Përveç hitit “Brividi”, repertori i tij muzikor përfshin edhe këngë shumë të njohura si “Ricordi”, “Mi fai impazzire”, “Piangere a 90” dhe shumë të tjera, derisa transmetimet e tij në Spotify kapin shifra prej qindra milionave.

Sunny Hill Festival, në këtë edicion, sjell emra të mëdhenj të skenës ndërkombëtare të muzikës, si Katy Perry, Lewis Capaldi dhe Martin Garrix, të cilët do të jenë artistët kryesorë (headliners) të tri netëve të festivalit.

Përveç tyre, në këtë edicion do të performojnë edhe emra të njohur të muzikës elektronike me famë ndërkombëtare, si Seth Troxler, Pawsa, Adam Port dhe Rampa.

Krahas artistëve të njohur botërorë, festivali do të mirëpresë edhe emra të spikatur të skenës vendore, të cilët gëzojnë një audiencë të madhe dhe vazhdojnë të kontribuojnë në zhvillimin e muzikës lokale.

Biletat e rregullta për festivalin janë tashmë në shitje dhe mund të blihen përmes faqes zyrtare sunnyhillfestival.com.

Të ngjashme