Sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken ka dalë me deklaratë pas vendimit të SHBA-ve për futjen në Listë të Zezës të kriminelëve serbë të veriut, Milan Radojiçiq, Zvonko Veselinoviq si dhe anëtarëve të bandës së tyre.
Blinken ka thënë se ky vendim vjen si një akt për të thyer të gjitha lidhjet mes aktivitetit kriminal dhe korrupsionit, shkruan lajmi.net.
Sekretari amerikan, Blinken doli me deklaratë pasi Amerika u vendosi sanksione kriminelëve të veriut.
“Ne do të vazhdojmë të përdorim të gjitha mjetet në dispozicion për të thyer lidhjet midis aktivitetit kriminal dhe korrupsionit. Veprimet e sotme, me përcaktimet e Departamentit të Thesarit për akterë të korruptuar të lidhur me organizata kriminale transnacionale në El Salvador, Kosovë dhe Serbi, janë pjesë e përpjekjeve tona të gjithë qeverisë për të thyer këto lidhje dhe për të promovuar llogaridhënien për akterët e korruptuar”, ka thënë Blinken.
“Në përputhje me qëllimet e Samitit për Demokraci të kësaj jave, Shtetet e Bashkuara po vendosin sot sanksione ndaj 16 individëve dhe 24 subjekteve nga disa vende në Evropë dhe hemisferën perëndimore. Këto sanksione synojnë autorët e korrupsionit në përputhje me Urdhrin Ekzekutiv 13818, i cili bazohet dhe zbaton Aktin Global të Përgjegjshmërisë për të Drejtat e Njeriut Magnitsky”, ka thënë Sekretari Blinken.
Ndryshe, SHBA-të sot u kanë vënë sanksione anëtarëve dhe krerëve të bandave kriminale të veriut të Kosovës.