Blinken telefonon homologët mes shqetësimeve për një sulm të mundshëm nga Irani

Prishtinë | 12 Pri 2024 | 10:28 | Nga Ekonomia Online

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologët të tij në Kinë, Turqi dhe Arabinë Saudite mes shqetësimeve në rritje për një sulm të mundshëm hakmarrës iranian ndaj Izraelit, tha sot Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH).

“Sekretari Blinken ka qenë i angazhuar në diplomaci gjatë 24 orëve të fundit përmes një sërë thirrjesh ndaj homologëve të huaj… për të bërë të qartë se përshkallëzimi nuk është në interesin e askujt dhe se vendet duhet t’i kërkojnë Iranit të mos e përshkallëzojë situatën”, tha zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller në Uashington.

Miller tha se Blinken foli me homologët, duke përfshirë ministrin e Jashtëm turk, Hakan Fidan, ministrin e Jashtëm kinez,Wang Yi dhe ministrin e Jashtëm saudit, Faisal bin Farhan.

“Ne jemi angazhuar gjithashtu me aleatët dhe partnerët evropianë gjatë ditëve të fundit dhe u kemi kërkuar atyre që t’i dërgojnë një mesazh të qartë Iranit”, tha Miller, duke shtuar se përshkallëzimi nuk është në interesin e Iranit. Nuk është në interesin e rajonit dhe nuk është në interes të botës.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei ka kërcënuar se do të hakmerret për  sulmin ajror në ambasadën e tij në Damask në fillim të muajit, një veprim që i është atribuar Izraelit.

Dy gjeneral brigade dhe pesë anëtarë të tjerë të Gardës së fuqishme Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) u vranë gjatë sulmit ajror në kompleksin e ambasadës iraniane në Damask./atsh

Të ngjashme