Bllokimet e reja të Coronavirusit ulin çmimin e naftës

Prishtinë | 03 Nën 2020 | 11:03 | Nga Ekonomia Online

Çmimet e naftës arritën një minimum prej pesë muajsh këtë të hënë pas vendosjes së bllokimeve të reja për të frenuar valën e dytë të koronavirusit.

Shumë nga ekonomitë e mëdha kanë forcuar masat, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Gjermaninë të cilat po luftojnë më një rritje të nivelit të infeksioneve.

Ekziston frika se masat e reja të bllokimit do të dëmtojnë më tej rritjen ekonomike dhe kërkesa për naftë do të bie.

Tregjet e aksioneve dhe mallrave janë gjithashtu të trazuar për shkak të zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara gjatë kësaj jave.

Në tregjet aziatike, çmimi i naftës së papërpunuar Brent ra në një nivel të ulët prej 35,74 dollarë për fuçi, një nivel që nuk është parë që nga fundi i majit. Më vonë u rikuperua disi në tregjet e Londrës, duke arritur 37.86 dollarë nga mesi i mëngjesit.

Çmimi i Brent, standardi kryesor për çmimet e naftës ka rënë me 45% që nga fillimi i vitit.

Rënia e shkaktuar nga Covid-19 ka rënduar mbi kompanitë e energjisë, pasi BP dhe Shell kanë njoftuar mijëra shkurtime vende pune këtë vit.

BP ka në plan të shkurtojë 10 mijë vende pune pas një rënie të kërkesës ndërsa Royal Dutch Shell ka thënë se pret të shkurtojë 7 mijë deri në 9 mijë vende pune.

Çmimi i naftës bruto amerikane gjithashtu është goditur rëndë, duke rënë me 7% të hënën, me në një minimum prej 33,64 dollarë për fuçi.

Kina mbetet tregu më optimist për rritjen ekonomike këtë vit

Importuesi më i lartë i naftës bruto në botë tha sot se do të rrisë kuotën e saj për vitin 2021 me 20% për kompanitë jo-shtetërore.

Kjo erdhi pasi aktiviteti në sektorin e fabrikave të Kinës u përshpejtua me ritmin më të shpejtë në gati një dekadë në tetor ndërsa kërkesa e brendshme u rrit. Muajin e kaluar, Kina vazhdoi rimëkëmbjen e saj nga pandemia me rritje të fortë ekonomike gjatë tremujorit të tretë, sipas shifrave të saj zyrtare.

Ekonomia e dytë më e madhe në botë raportoi rritje prej 4.9% midis korrikut dhe shtatorit, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme