BMW-të kapen nga kamerat në Gjilan, Policia gjobit drejtuesit për shkelje të rënda në trafik

Prishtinë | 08 Maj 2026 | 17:02 | Nga Ekonomia Online

Dy vozitës të automjeteve BMW X5 janë gjobitur nga policia në Gjilan, pasi u kapën nga kamerat e sigurisë duke kryer shkelje të rënda në trafik, të cilat, sipas Policisë, rrezikuan edhe pjesëmarrësit e tjerë në komunikacion.

Sipas njoftimit të Policisë në Facebook, njëri nga automjetet, BMW X5 me ngjyrë të kuqe, ka lëvizur në shiritin e kundërt dhe nuk është ndalur në semaforin me dritë të kuqe.

Ndërkohë, vozitësi i BMW X5 me ngjyrë të zezë ka kryer tejkalim në vijë të plotë, në afërsi të vendkalimit për këmbësorë pranë rreth-rrotullimit, duke rrezikuar sigurinë në trafik.

Shkeljet janë identifikuar dhe dokumentuar përmes kamerave të sigurisë të vendosura në qytet.

“Njësiti Rajonal i Komunikacionit Rrugor në Gjilan ka ndërmarrë menjëherë veprimet e nevojshme operative, me ç’rast janë identifikuar vozitësit dhe ndaj tyre janë shqiptuar gjoba konform legjislacionit në fuqi.

Me qëllim parandalimin e aksidenteve në trafikut rrugor, Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan apelon tek të gjithë ngasësit që të respektojnë dispozitat ligjore në trafik, të përshtatin ngasjen dhe shpejtësinë me kushtet e rrugës. Siguria në trafik është përgjegjësi e përbashkët dhe kërkon angazhimin e të gjithëve”, shkroi Policia.

Të ngjashme