Bojkotohet Kurti, AKK-ja: Është e domosdoshme përfshirja e komunave

Prishtinë | 31 Gus 2021 | 13:45 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë mbajtur takim me disa nga kryetarët e komunave të Kosovës, për të diskutuar rreth situatës me Covid-19, raporton Ekonomia Online.

E siç duket Kurtit, ky takim nuk i shkoi siç është më së miri, pasi që shumica e kryetarëve të komunave e kanë bojkotuar takimin. Krejt kjo ka ardhur pasi që Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës në mënyrë unanime ka vendosur që kryetarët e komunave mos të marrin pjesë në takim.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahim, në një prononcim për Ekonomia Online, tha se Bordit deri të ky vendim ka ardhur pasi që Qeveria e Kosovës, AKK-në pa dhënë ndonjë sqarim e ka larguar nga komitetin anti-Covid.

Mirëpo,  vetëm largimi i AKK-së nga komiteti anti-Covid, nuk po del të jetë arsyeja e vetme për mos marrje pjesë të kryetarëve të komunave në takimin e thirrur nga kryeministrin Albin Kurti.

“Dje Asociacioni i Komunave të Kosovës përmes medieve ka qenë i informuar se qeveria e Kosovës e ka themeluar komitetin anti-Covid, ku AKK-ja në të kaluarën ka qenë anëtare e komitetit, dhe në mënyrë të veçantë e ka hekë Asociacionin e Komunave të Kosovës si anëtar i komitetit anti-Covid, dhe ne nuk kemi marr ndonjë arsye apo nuk e kanë obligim të na informojnë mirëpo kemi qenë kurioz se përse AKK-ja që ka dhënë një kontribut të mos jetë pjesë e këtij komiteti, dhe për këtë arsye kryetarët e komunave me mekanizmat tonë komunikues kanë shprehur indinjatën e tillë dhe ka qenë iniciativë e tillë që në takimin që është ftuar nga kryeministrit Kurti të mos jenë prezent, kryetarët e komunave kanë shprehur edhe disa zhgënjime ku kanë theksuar se në shumicën e rasteve kërkesat që bëhen nuk po marrin përgjigje dhe me këtë kanë dashur të tregojnë se niveli qendror sa herë që donë të merr një vendim që i prek kompetencat e komunave duhet ti konsultojë paraprakisht komunat”.

Ibrahimi ka treguar se i ka shkruar ministrit të shëndetësisë, Arben Vitia për arsyen e largimit të AKK-së nga komiteti anti-Covid, por që ende nuk ka marr një përgjigje.

“Unë personalisht, i kam shkruar ministrit Arben Vitia dhe kam kërkuar se çfarë ka ndodhur se pse AKK-ja është larguar nga ky komitet dhe kjo ka ndodhur dje dhe deri sot nuk kemi marrë ndonjë informatë se përse dhe cila është arsyeja e mos ftesës”.

AKK-ja ka kërkuar një koordinim të mirëfilltë me nivelin qendror pasi që ai thotë se në pyetje është jeta e qytetarëve të vendit. Ai thotë se është e domosdoshme përfshirja e komunave në këto mekanizma, raporton EO.

“Përfshirja e komunave në këto mekanizma është domethënës, është e patjetërsueshme, jeta e qytetarit zhvillohet në nivelin lokal, nëse nuk ka informata nga niveli qendror në nivelin lokal atëherë problemet nuk mund të zgjidhen dhe për këtë arsye në qeverinë Kurti 1 dhe Hoti kemi qenë shumë aktiv në këtë komitet, dhe jemi të habitur se përse ka ndodhur një veprim i tillë”.

“Mësova nga mediet se ne shprehim gatishmërinë që të kemi një koordinim me nivelin qendror, në mënyrë që situata me pandeminë të lehtësohet në mënyrë që kurba e rritjes së infektuarve të filloj dhe të bie”.

Të ngjashme