Para pak çastesh kanë nisur reshjet e borës në viset e ulëta në Kosovë, përfshirë edhe kryeqytetin. Reshje të dobëta bore kanë rënë edhe mbrëmë gjatë natës.
Fundjava e fundit e vitit 2019 me mot të ftohtë, priten reshje të dobëta bore edhe në vise të ulëta.
Kështu thuhet në një njoftim nga Prishtina Weather, sipas të cilës, një turbullirë me masa të ftohta polare do të kalojë mbi rajon ditëve të fundjavës, që do të kushtëzojë mot të ftohtë, kryesisht me vranësira, e kohëpaskohe me reshje të dobëta bore edhe në vise të ulëta.
“Në zona malore reshjet do të jenë me intenzitet mesatar. Në perëndim të vendit, nga rrafshi i Dukagjinit, me mundësi më të ulëta për reshje bore. Në fillim të javës së ardhshme fusha të presionit të lartë nga Evropa qendrore do të shtrihen mbi rajon, ku do të sjellin kthjellime, mirëpo në aspektin termik temperaturat do të pësojnë rënie të ndjeshme nën vlera mesatare.
Ditëve të fundjavës parashihet të ketë qarkullim të mjaftueshëm ajror, që do të zbresë vlerat e cilësisë së ajrit rreth vlerave mesatare dhe të mira”, thuhet në njoftim.