Bordi i drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) në mbledhjen e sotme ka aprovuar qiradhënien e asetit të ndërmarrjes “Auto Prishtina” për Policinë e Kosovës.
Gjatw mbledhjes ky bord ka diskutuar çështje të shumta të përcaktuara me rendin e ditës, duke marrë vendime në lidhje me administrimin e ndërmarrjeve shoqërore në vend.
Vendimet e marra nga Bordi i AKP-së:
Menaxhmenti i Agjencisë raportoi për aktivitetet e fundit të AKP-së dhe Bordi diskutoi gjerësisht për këto zhvillime dhe për proceset e planifikuara në të ardhmen dhe në këtë kuadër menaxhmenti informoi për përgatitjet që po bëhen për valën e fundit të shitjeve të aseteve në likuidim ku dorëzimi dhe hapja e ofertave do të bëhet me 7 dhjetor për çka u tha se është shtuar dukshëm numri i investitorëve të interesuar.
Po ashtu para Bordit raportoi Komiteti i Auditimit i Bordit të Drejtorëve në lidhje me zbatimin e të gjeturave të Auditorit të brendshëm dhe të Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Gjatë kësaj mbledhje Bordi aprovoi shpërndarjen e fondeve të pjesës 20 % për N.Sh “Ekonomia Pyjore”, në Gjakovë dhe KB “Beci”, në Bec të Gjakovës dhe po ashtu për N.Sh “Emin Duraku”, në Gjakovë.
Po ashtu Bordi aprovoi Raportin e Komisionit për Shitjen e Banesave të N.Sh-ve me gjithsej 19 kërkesa të shqyrtuara. Gjithashtu u aprovuan edhe Raportet e Shpërndarjes së Përkohshme për kreditorët e katër ndërmarrjeve shoqërore: N.Sh “Progresi”, N.Sh “Barnatorja”, N.Sh “Urata” dhe N.Sh “Dardania”.
Bordi gjatë kësaj mbledhje aprovoi po ashtu rezultatet finale të ofertimit nga qiradhënia e aseteve përmes dy shpalljeve publike të datave 21 dhe 28 tetor 2016 për 11 pika të karburanteve dhe asete tjera në pronësi shoqërore.
Përveç qiradhënieve tjera në përgjithësi, Bordi po ashtu aprovoi edhe qiradhënien e asetit të “Auto Prishtina” për Policinë e Kosovës. Bordi diskutoi edhe për progresin e deritashëm në realizimin e studimit të fizibilitetit për ndërmarrjen “Trepça” nga kompania e angazhuar për këtë qëllim nga AKP përmes tenderit publik, ndërkaq u diskutua edhe për rifillimin e punës në ndërmarrjen e privatizuar “Ferronikeli” dhe për lehtësimet që iu mundësuan kësaj ndërmarrje nga ana e AKP-së për shfrytëzimin dhe qasje në miniera të reja përmes pronave shoqërore.
Bordi po ashtu u informua me raportin përfundimtar për NSH Kooperativa Bujqësore “Gaçkë” (në likuidim), si dhe për raportet e gjendjeve në ndërmarrjet shoqërore “Boksitet e Kosovës”, “Pallati i Rinisë”, “Inex Sharr Planina” në Brezovicë.