AKP nxjerr në likuidim 12 ndërmarrje shoqërore

Prishtinë | 22 Dhj 2016 | 16:37 | Nga

Bordi i drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka miratuar valën e re të shitjes së aseteve të NSH-ve përmes likuidimit, SHAL 29, e cila është planifikuar të shpallet me datën 20 janar 2017 dhe dita e shitjes do të mbahet me 22 shkurt 2017. Kjo valë përfshinë 57 asete në rajone të ndryshme të Kosovës.

Në këtë mbledhje Bordi miratoi edhe Planin e Punës të AKP-së për vitin 2017 duke paraparë 12 valë të shitjeve të aseteve për vitin 2017. Bordi, po ashtu, miratoi edhe organogramin e ri të Agjencisë duke mundësuar kështu një dinamikë të re për të ardhmen. Ky përkushtim pasqyron zotimin e Bordit dhe Menaxhmentit të AKP-së për përshpejtim të procesit të privatizimit dhe likuidimit me qëllim të arritjes së objektivave dhe realizimit të mandatit ligjor të AKP-së. Veç kësaj, Bordi miratoi të gjitha transaksionet e SHAL 27 të mbajtur me 7 dhjetor 2016 ku u shitën 49 asete me shumë prej 5 840 724 euro.

Ndër të tjera Bordi miratoi edhe raportin e Komisionit për Shitje të Banesave me gjithsej 24 kërkesa të shqyrtuara.

Bordi vendosi të filloj likuidimin e 12 ndërmarrjeve shoqërore si dhe aprovoi raportet e shpërndarjes së përkohshme për kreditorët e kualifikuar të 3 ndërmarrjeve shoqërore si në vijim: NSH Suhareka NPJA; NSH Ekonomia Peshkatari dhe NSH Shah Kosova, në shumë prej 1 378 365 euro.

Gjatë kësaj mbledhje, Bordi i Drejtorëve dha pëlqimin për regjistrim/bartje në librat kadastral të pronës së KBI Ereniku në përputhje me vendimin përfundimtar të Qeverisë së Kosovës për shpronësim me numër 07/110 mënyrë që të mundësohet fillimi i punëve për ndërtimin dhe realizimin e projektit “Ngrohtorja e Re e Qytetit në Gjakovë” me fondet e IPA-së.

Bordi miratoi edhe rezultatet e ofertimit për qiradhënie të një numër asetesh, sipas shpalljes publike të datës 21 tetor 2016.

Mbledhja e radhës e Bordit të Drejtorëve është caktuar për fund të janarit të vitit të ardhshëm.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme