Bordi i shkarkuar i PTK-së paditë qeverinë Kurti

Prishtinë | 20 Pri 2020 | 21:20 | Nga Ekonomia Online

6 ish-anëtarët e Bordit të Postës së Kosovës, të shkarkuar nga Qeveria në detyre e Albin Kurtit, kanë paditur të hënën ekzekutivin për vendimin e datës 2 prill 2020, që i zëvendësoi ata me një bord të përkohshëm të kësaj ndërmarrje publike.

Kjo padi është dorëzuar  sot përmes postës në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Përmes kësaj padie, ish kryesuesi i këtij bordi Halit Isufi dhe ish-anëtarët tjerë Hysen Fazliu, Rushan Ceka, Zelfije Pllana, Nuhi Provoliu dhe Ylber Zabërgja, pretendojnë se Qeveria e shkarkuar Kurti në vendimin për shkarkimin e tyre nga drejtimi i ndërmarrje publike ‘Posta e Kosovës’ ka kryer shkelje thelbësore të dispozitave të Ligjit të Procedurës së Përgjithshme Administrative.

“E paditura [Qeveria e Kosovës] nuk ka arritur të arsyetojë vendimin e saj, por ka vendosur në bazë të propozimit të ministres së MEPTINIS të dt. 26.02.2020,e kjo e fundit në tërësi ka paraqitur fakte të pavërteta lidhur me punën e bordit në fjalë, për të cilin kemi bindjen e plotë se një vendim i tillë është në tërësi vendim politik dhe kundërligjor”, thuhet në këtë padi.

Aty, kërkohet anulimi i aktit administrativ për shkarkimin e ish-bordit të ‘Postës së Kosovës’ dhe kërkohet që Gjykata Themelore e Prishtinës të detyrë Qeverinë e Kosovës që ish-anëtarët e shkarkuar të kësaj ndërmarrje të kthehen në pozitat e tyre dhe të kompensohen për pagat e humbura nga dita e shkarkimit, shkruan Reporteri.net.

Ndryshe, pas vendimit për shkarkimin e këtij bordi, Qeveria në detyrë e Albin Kurtit, në mbledhjen e 2 prillit 2020 ka marrë vendim për emërimin e bordit të përkohshëm të kësaj ndërmarrje publike ‘Posta e Kosovës’.

Anëtarët e ri të bordit janë: Mentor Arifaj, kryesues dhe drejtor; Kujtim Shala, drejtor; Sajmie Thaçi, drejtore dhe Blerton Abazi, drejtor.

Të ngjashme