Borrell bën bashkë Osmanin dhe Vuçiqin në New York

Prishtinë | 19 Sht 2023 | 22:13 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë sot pjesë në një takim të përbashkët me liderë të Ballkanit Perëndimor, takim ky i mbajtur në ShBA me organizim të Shefit të Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Presidentja ka ndarë fotografi nga ky takim, ku tha se është diskutuar edhe rruga euroatlantike e Kosovës. Ajo ka theksuar se dhënia e statutit kandidat Kosovës për anëtarësim në BE është interes strategjik.

“Integrimi euroatlantik vazhdon të jetë rruga e vetme për të siguruar paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon dhe përtej tij”.

“Në takimin e sotëm të organizuar nga përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, në New York, ritheksova se dhënia e statusit të vendit kandidat për Kosovën është interes strategjik”, ka shkruar Presidentja.

Darka vjen vetëm një ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati një mal kritikash ndaj emisarit Mirosllav Lajçak, që po ashtu ishte pjesë e kësaj darke, por edhe vetë Borrellit.

Në një konferencë për media, Kurti akuzoi emisarin Lajçak se po bashkëpunon me Serbinë, dhe se po ia plotëson të gjitha kërkesat Presidentit Vuçiq. Ai ka thënë se pasi propozoi një plan të sekuencimi të punuar nga Republika e Kosovës, presidenti i Serbisë dhe Miroslav Lajçak reaguan me të njëjtin mendim dhe me të njëjtën shpërfillje të koordinuar.

Mirëpo, Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, nuk ka përmendur këto akuza që Kryeministri Kurti pati ndaj Lajçakut.

Siç bën të ditur komunikata e Presidencës, ndër të tjera në këtë darkë është folur për masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës duke thënë se ato vetëm se e pengojnë procesin e dialogut.

“Presidentja Osmani po ashtu ka theksuar se masat e BE-së ndaj Kosovës përveç që nuk i kontribuojnë avancimit të dialogut, ato, nëpërmjet pezullimit të projekteve të BE-së, më së shumti prekin interesat dhe mirëqenien e qytetarëve”, thuhet në komunikatë.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani po ashtu ka thënë se Kosova është palë konstruktive dhe e përkushtuar për paqe e stabilitet, e bashkërenduar tërësisht me politikat e BE-së.

“BE duhet t’i shpërblejë shtetet të cilat janë të bashkërenduara me BE dhe në të njëjtën kohë kanë ndërmarrë reforma, sidomos në sundimin e ligjit, ekonomi dhe standarde evropiane”, ka theksuar Osmani.

Të ngjashme