Palët duhet të kthehen në tavolinën e bisedimeve, tha më 1 dhjetor Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, derisa foli rreth dialogut mes Kosovës dhe Serbisë nga Riga e Letonisë ku po mbahet takimi i ministrave të jashtëm të shteteve anëtare të NATO-s.
“Sa i përket Kosovës dhe Serbisë, kemi pasur shumë tensione gjatë verës. Situata është më e qetë së fundi. Por ka nevojë që dialogu të rikthehet sepse nuk ka rrugë tjetër për ta stabilizuar situatën”, tha Borrell duke folur para mediave, në prag të takimit, shkruan REL.
Bisedimet për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë kanë filluar qysh në vitin 2011. Që nga ajo kohë janë arritur një sërë marrëveshjesh, porse shumica prej tyre nuk janë zbatuar në praktikë.
Së fundmi pengesë në dialog u bë, marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovës. Qëllim i dialogut thuhet të jetë arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e obligueshme për të dyja palët.
Tutje sipas Borrellit, Ballkani Perëndimor është rajon strategjik për BE-në derisa në këtë kontribuon fakti që një pjesë e shteteve të këtij rajoni tashmë janë anëtare të NATO-s.
Borrell foli edhe rreth situatës në Bosnjë e Hercegovinë (BeH) duke thënë se ka tendenca që në këtë shtet të zhbëhen 26 vjet të paqes dhe stabilitetit.
Situata politike në BeH është përkeqësuar pasi udhëheqësi serb i Bosnjës, Millorad Dodik, kërcënoi me ndarjen e Republika Sërpskës – entitet i banuar me shumicë serbe – nga pjesa tjetër e vendit.
Ai po ashtu kërcënoi se serbët e BeH mund të tërhiqen nga ushtria e përbashkët e vendit. Dodiku zuri këtë qëndrim pas miratimit të ligjit i cili ndalon mohimin e gjenocidit në Bosnje.