Janë 48 milionë e 580 mijë euro që konsumatorët e tetë komunave i kanë borxh kësaj kompanie për shërbime të ujësjllësit dhe kanalizimit deri në fund të vitit 2020.
Më shumë se gjysma e këtij borxhi është e konsumatorëve të kryeqytetit me 27 milionë 382 mijë e 471 euro, pason Podujeva me 5 milionë e 255 mijë e 731 euro borxhe, pastaj konsumatorët e Fushë-Kosovës me 4 milionë e 951 mijë e 384 euro, Obiliqi me 3 milionë e 672 mijë e 415 euro, Graçanica me 2 milionë 517 mijë e 592 euro, Lipjani me 2 milionë e 156 mijë e 518 euro, Drenasi me 1 milion e 376 mijë e 815 euro dhe e fundit Shtimja me 1 milion e 267 mijë e 80 euro borxh.
Për inkasimin e këtij borxhi, zyrtarët e KRU “Prishtina” i kanë varur shpresat te përmbaruesit privatë. Zëdhënësja, Arjeta Mjeku, ka thënë se gjatë periudhës janar, shkurt dhe mars 2021 KRU “Prishtina” sh.a., i ka dërguar afër 2000 lëndë tek përmbaruesit privatë për konsumatorët në tërë zonën e shërbimit.
“Janë dërguar vetëm kategoria e konsumatorëve të bizneseve për arsye të borxheve më të mëdha. Rezultatet janë evidente për faktin se çdo ditë konsumatorët i përgjigjen përmbushjes se obligimeve përmes procedurës përmbarimore dhe ky numër ndryshon çdo ditë dhe çdo moment. Çdo konsumator e ka obligim ligjor pagesën për shpenzimet e ujit dhe kanalizimit.
Kohë më parë ne kemi përdorë metoda të ndryshme për t’i bindur konsumatorët që ata t’i kryejnë obligimet e tyre financiare për shërbimet e ujit, duke filluar nga thirrjet përmes telefonit, pastaj shkyçjet nga sistemi i rrjetit të ujësjellësit”, ka theksuar Arjeta Mjeku.
“Pastaj kemi marrë vendim që t’u ofrojmë lehtësira në kryerjen e obligimeve duke ua mundësuar që të paguajnë 10% të borxhit total dhe pjesën e mbetur ta programojnë me këste mujore prej 12-36 muaj dhe në fund, pas neglizhimit të tyre, jemi duke aplikaur masë tjetër e cila kohëve të fundit po tregohet goxha efikase, dërgimi i lëndës te përmbaruesit privatë”, ka vazhduar ajo.
Zëdhënësja në KRU “Prishtina thotë se aplikimi i çkyçjeve nga sistemi i rrjetit të ujësjellësit, vite më parë kishte rezultatet e veta. Por, ajo thotë se ka pasur raste kur konsumatorët edhe përkundër çkyçjeve, kanë gjetur mënyra të tjera ilegale për lidhje të sërishme në rrjet.
Mjeku ka thënë se gjatë vitit të kaluar janë çkyçur nga rrjeti i tyre 174 konsumatorë. Edhe këtu prin Prishtina me 69 çkyçje, pastaj Podujeva me 26, Fushë-Kosova me 25, Drenasi me 18, Obiliqime 16, Shtimja me 14 dhe Graçanica me 6 çkyçje.
Ndërsa, këtë vit janë çkyçur vetëm 4 konsumatorë. Këto çkyçje që janë bërë në fillim të vitit 2020, sipas zëdhënëses së KRU “Prishtina”, nuk kanë ndodhë për shkak të mospagesës, por për shkak të lidhjeve ilegale.
“Duke marrë parasysh situatën epidemiologjike nga Covid-19 në vend, ARRU (Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit v.j.) ka nxjerrë Vendimin me nr. 127/D 22.04.2020, për pezullimin e ndërprerjeve të shërbimeve të ujësjellësit i cili është ende në fuqi dhe vlen për të gjithë ofruesit e shërbimeve të ujit. Pra, sipas vendimit ndërprerjet e ujit nuk guxojnë të ndodhin si rezultat i moskryerjes se obligimeve”, ka deklaruar Arjet Mjeku.
Në vendimin e ARRU-së thuhet se me qëllim të ofrimit të shërbimeve të ujit gjatë kohës së pandemisë COVID-19, pezullohen ndërprejet e ujit për të gjitha kategoritë e konsumatorëve deri në një vendim tjetër.
“2. Pika 1 e këtij vendimi nuk zbatohet në rastet kur: 2.1. Vlerësohet se vazhdimi i ofrimit të shërbimeve paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për jetën dhe shëndetin e personave fizikë; 2.2. Rrjeti i shpërndarjes së shërbimeve të ujësjellësit është në rrezik të drejtpërdrejtë të humbjes së madhe ose të shkatërrimit; 2.3.Ofruesi i shërbimeve ka për qëllim riparimin dhe mirëmbatjen e rrjetit të ujësjllësit (në këto raste konsumatorët duhet të njoftohen paraprakisht për kohëzgjatjen e ndërprerjes); 2.4. Uji keqpërdoret nga konsumatorët dhe si rrjedhojë shkaktohen humbje të mëdha”, thuhet në vendim.
Ndërkohë, zëdhënësja Mjeku thotë se kohët e fundit ndaj borxhlinjve Kompania nuk i konfiskon ujëmatësit, por në momentin e çkyçjes u vendoset bllokada. Në këto raste ajo thotë se janë të obliguar të veprojnë sipas Rregullores Nr.10/2019 për standardet minimale të shërbimeve të ujit në Kosovë. Në pikën 1 të nenit 21 të kësaj Rregulloreje që flet për ndërprerjen e lidhjes së paautorizuar në shërbime, thuhet se ndërhyrjet, lidhjet e paautorizuara dhe dëmtimet në sistemet e ujësjellësit dhe kanalizimit përbëjnë vepër penale të parapara në nenin 30, paragrafi 2 të Ligjit Nr.05/L-042 për Rregullimin e Shërbimeve të Ujit.
“2. Çdo lidhje e paautorizuar në rrjetin e ujësjellësit dhe/ose rrjetin e kanalizimit duhet të ndërprehet brenda pesë (5) ditëve të punës nga data e zbulimit, përveç nëse personi i lidhur në mënyrë të paautorizuar nënshkruan kontratën për shërbime me ofruesin e shërbimeve dhe paguan të gjitha ngarkesat e faturuara nga ofruesi i shërbimeve, në bazë të rregullave dhe tarifave të lëshuara nga Autoriteti”, thuhet në pikën 2 të të njëjtit nen.
Arjeta Mjeku ka thënë se gjatë vitit 2020 punëtorët e kësaj kompanie i kanë bërë 8,522 inspektime, 17,787 vizita, 174 çkyçje ilegale, 4,858 pagesa, e që shuma e kësaj pagese është 671 mijë e 721 euro.
“Si rezultat i aktiviteteve të ndërmarra si në tabelë dhe pagesat që kanë rrjedhë si shkak i tyre në total të inkasimit të përgjithshëm nga këto aktivitete kemi një rritje në shkallën 5.4%. Normalisht që veprimet e tilla sjellin rezultate në ngritje të shkallës së arkëtimit, por krahasuar me vitet paraprake, rezultati më i madh është dërgimi i lëndëve te përmbaruesit privatë, të cilën kemi filluar të aplikojmë vitin e fundit”, ka thënë ajo. (Koha)