Termokos-i ditë më parë filloi sezonin ngrohës. Por kjo ndërmarrje publike po përballet me problemin e inkasimit të borxheve.
Janë rreth 15 milionë euro që konsumatorët i kanë borxh Termokos-it.
Drejtori Arsim Fetahu, thotë për Ekonomia Online se qytetarët nuk e shfrytëzuan Ligjin për Falje të Borxheve.
“Borxhet ndaj kompanisë janë diku rreth 15 milionë, por besoj me masat që jemi duke i ndërmarr që këtë borxh ta zvogëlojmë minimalisht. Borxhi kryesisht ka të bëjë për periudhën e projektit të koogjenerimit dhe një pjesë e qytetarëve edhe pse kanë pas mundësi nëpërmjet ligjit për faljen e borxhit nuk e kanë shfrytëzuar këtë mundësi dhe ato ka ngelur dhe vazhdojnë të mbesin dhe me masat që do t’i marrim në këtë sezon dhe sezonin tjetër gjithçka do të rregullohet”, thotë ai.
Drejtori i Termokos-it paralajmëron të gjithë borxhlinjtë që nëse nuk i shlyejnë obligimet ndaj kësaj ndërmarrjeje do të marrin masa, duke mospërjashtuar edhe shkyçjet masive.
“Patjetër që do të ketë shkyçje por fillimisht do t’i dërgohen dy vërejtje dhe pastaj do të dërgohet edhe lënda në përmbarues dhe gjithashtu të bëhet dhe ekzekutimi i shkyçjes fizike në ato vende ku ka mundësi ndërsa në ato vende ku nuk ka mundësi do të informojmë të gjithë banorët që kjo ndërtesë nuk është duke kryer obligimet dhe do të detyrohemi që ndoshta ta ndërpremë gjithë objektin”, tha ai.
Fetahu bën të ditur se këtë vit në sistemin ngrohës janë kyçur për herë të parë disa objekte kolektive të reja në Kalabri.
“Momentalisht kemi katër objekte të cilat do të kyçen për herë të parë dhe ato janë çerdhja ‘Buzëqeshja’ afër ndërtesave të aeroportit , shkolla fillore ‘Naim Frashëri’, ‘Stacioni Policor’ dhe ‘Fakultetit Arkitekturës’ të cilët gjenden afër ministrisë së arsimit. Ajo që më shumë i intereson qytetarëve është edhe pjesa e fillimit të punimeve në lagjen Kalabria dhe ato deri në fund të kësaj jave do të përfundojnë dhe pastaj do të mbetet segmenti vetëm prej Doganës deri te ndërtesat e Arabëve dhe në ato punime do të rritet intensiteti dhe besoj që deri në fund të muajit nëntor edhe kjo pjesë e qytetit do të kyçet me ngrohje për herë të parë”, thotë ai.
Edhe këtë vit çmimet do të jenë të njëjta për konsumatorët privat, që janë 0.72 centë, i cili do të vlejë deri në një vendim tjetër të Zyrës së Rregullatorit për Energji.