Gjatë vitit që lamë pas borxhi publik i Kosovës është rritur për rreth 100 milionë euro në raport me vitin paraprak. Rritja e shpejtë e borxhit nga njohësit e ekonomisë në vend po konsiderohet si sinjal i keq për të ardhmen e shtetit.
Duke u bazuar në të dhënat e fundit të Ministrisë së Financave (MF) shihet se në fund të vitit që lamë pas borxhi publik i Kosovës ka arritur në 852 milionë euro e derisa në fund të vitit 2015 borxhi publik i Kosovës ishte 748 milionë euro, shkruan Zëri.
Gjithnjë duke u bazuar në të dhëna zyrtare të Ministrisë së Financave shihet se nga kjo shumë 373 milionë euro është borxhi ndërkombëtar derisa pjesa tjetër i përket borxhit të brendshëm.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave shihet se në vitin 2012 borxhi publik i Kosovës ka qenë 409 milionë euro, derisa në vitin 2013 shuma e borxhit ka arritur në 476 milionë euro. Në vitin 2014 shuma totale e borxhit publik ka arritur në 582 milionë euro e derisa një viti më vonë, në vitin 2015, shihet se borxhi publik është rritur në masë enorme duke arritur në 748 milionë euro.
Në fund të vitit 2016 borxhi i Kosovës ndaj Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim kishte arritur në 169 milionë euro, derisa ndaj Agjencisë Ndërkombëtare për Zhvillim ka arritur në 36 milionë euro. Po ashtu borxhi i Kosovës ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar ka arritur në 113 milionë euro, ndaj “UniCredit” 6.4 milionë euro, si dhe ndaj KfW-së 47 milionë euro.