Përfaqësuesit politikë nga radhët e komunitetit boshnjak kanë vlerësuar qëndrimin e kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, për mosdhënien e lejeve ndërtimore për ndërtimin e mini-hidrocentraleve në Luginën e Lumëbardhit (Zhupë).
Sipas tyre, ky është një lajm pozitiv për banorët e kësaj zone sikurse edhe rezultat i presionit politik të përfaqësuesve të komunitetit boshnjak, shkruan sot “Koha Ditore”.
Këshilltarja e koalicionit “Vakat” në Kuvendin e Komunës së Prizrenit, Memnuna Ajdini, duke përshëndetur qëndrimin publik të Haskukës lidhur me mosdhënien e lejeve ndërtimore për mini-hidrocentralet ka theksuar se ky veprim mundëson ruajtjen e Luginës së Lumëbardhit si zonë turistike dhe ekologjike.
Ditë më parë kryetari Haskuka ka deklaruar se Komuna e Prizrenit nuk do të lëshojë leje për ndërtim të hidrocentraleve në trevën e Luginës së Lumëbardhit (Zhupës).
Ministri i MMPH-së, Fatmir Matoshi, në shtator pati deklaruar se “për hidrocentralet aktualisht është një moratorium”.
Gjatë dy vjetëve të shkuar, banorët e Luginës së Lumëbardhit në takime të ndryshme kanë kundërshtuar ndërtimin e hidrocentraleve në këtë rajon.