Botërori, vulë mbi karrierën plot shkëlqim të Muhaxherit

Prishtinë | 28 Pri 2019 | 09:37 | Nga Ekonomia Online

Kosova ka pritur gjatë që një përfaqësuese e saj të marrë pjesë në kampionat botëror, në sporte ekipore.

Fatin për të udhëhequr përfaqësuesen e parë të Kosovës në botëror do ta ketë Fatmir Muhaxheri, kryetrajneri i përfaqësueses U-21 në hendboll (meshkujt).

Përfaqësuesja U-21 më herët këtë muaj ka fituar fazën ndërkontinentale të garës IHF Trophy dhe kështu ka siguruar biletën e fundit për botërorin e juniorëve, që mbahet në Spanjë gjatë muajit korrik, shkruan sot Koha Ditore.

Roli i Muhaxherit në këtë sukses të Kosovës vlerësohet i madh, ashtu si edhe kontributi i tij prej dekadash në hendbollin kosovar. Ai është në hendboll nga viti 1981, për shumë kohë si lojtar e më pas si trajner në klube e në përfaqësuese.

Karrierën si lojtar e ka kaluar kryesisht në klubin e qytetit të tij, Pejës, ndërsa si trajner më shumë është i fokusuar te kategoritë e reja të përfaqësueses. Kosova U-21 në botëror nuk është kualifikuar përmes rrugës primare – suksesit në “Euro 2018” për grupmoshën U-20.

Federata Ndërkombëtare e Hendbollit (IHF) ka vendosur që për herë të parë IHF Trophy të ofrojë biletë për kampionatin botëror të juniorëve, që në fund u rrëmbye nga Kosova.

Në Federatën Evropiane nuk e kanë pritur më së miri kualifikimin e Kosovës, pasi jashtë botërorit kanë mbetur përfaqësuese më të forta evropiane. Por djelmoshat e drejtuar nga Fatmir Muhaxheri kanë shfrytëzuar maksimalisht mundësinë e artë.

Federata e Hendbollit e Kosovës vlerësohet të ketë pjesë të madhe të meritave për këtë sukses, pasi ndër të tjera mundësoi që dy ngjarjet e IHF Trophy të organizohen në Prishtinë.

Në tetor të vitit të kaluar IHF Trophy për Evropë u fitua nga Kosova U-20, falë një goli të bukur në sekondën e fundit të ndeshjes së fundit. Ajo gjeneratë më herët këtë muaj fitoi IHF Trophy Intercontinental, duke dominuar të gjitha ndeshjet me përfaqësuese të kontinenteve të tjera.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme