Banka Qendrore Europiane (BQE) po fiton besim se inflacioni do të rritet përsëri te niveli objektiv, megjithatë duhet ende durim për të parë nëse rimëkëmbja ekonomike është e vazhdueshme, tha numri një i institucionit Mario Draghi.
Draghi e quajti luhatjen e kohëve të fundit të valutës së përbashkët si një burim paqartësie që kërkon monitorim, dhe tha se një lehtësim monetar në nivele të ulëta është ende i nevojshëm, për shkak se lëvizjet e shpejta mund të kthejnë mbrapsht punën e tyre.
“Në përgjithësi, ne po sigurohemi se inflacioni do të arrijë së shpejti nivelet objektiv, por dijmë gjithashtu se një masë e lehtësimit monetar është ende e nevojshme në mënyrë që drejtimi i inflacionit të materializohet”, tha Draghi në komisionin mbi çështjet ekonomike të Parlamentit Europian në Bruksel.
Ndërkohë që ekonomia e Eurozonës po rritet për të 17-in tremujor radhazi, BQE pritet të ngadalësojë programin e stimujve, duke nisur vitin që vjen, pavarësisht nivelit të çmimeve poshtë objektivit prej afër 2%.
Politikëbërësit në Bruksel thanë se debati tashmë do të fokusohet në detajet e ndryshimit monetar. Shumë prej tyre argumentojnë se qasja për përfundimin e stimujve duhet të jetë graduale, në mënyrë që fuqizimi i euros të mos shqetësojë. Draghi tha se luhatja e kohëve të fundit në kursin e këmbimit përfaqëson një burim të pasigurive që kërkon monitorim.
Draghi cilësoi gjithashtu efektivitetin e blerjes së obligacioneve të korporatave nga BQE, duke thënë se ka ulur kostot e huamarrjes, gjë që ka ndihmuar bizneset e vogla e të mesme për të patur akses në financim të lirë.
Nisur 2 vite e gjysmë më parë, programi i blerjes prej 2.3 trilionë euro i bankës, ka ulur kostot e huamarrjes dhe ka nxitur shpenzimet e rritjen ekonomike të Eurozonës, duke krijuar rreth 7 milionë vende pune që prej ditëve më të këqija të krizës së borxhit.
Inflacioni nga ana tjetër, ka qenë i ngadaltë në reagim, duke e lënë institucionin në dilemë. Mbajtja e rritjes së çmimeve në afër 2% është mandati i vetëm i BQE.