Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane, në kuadër të edukimit financiar kanë organizuar sot një aktivitet me nxënës të shkollave të mesme të kryeqytetit, me moton “Edukim financiar për vendime të duhura”.
Dhjetëra nxënësve të mbledhur në Amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare, zyrtarë të BQK-së dhe të Ambasadës iu kanë folur rreth rëndësisë që ka edukimi financiar, menaxhimi i mirë i parasë etj. Atyre iu është shpërndarë dhe një broshurë e përgatitur nga Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorëve, në kuadër të BQK-së, ku gjenden informata rreth Bankës Qendrore të Kosovës, politikës monetare të Kosovës, letrat me vlerë, kreditë, sistemi i pagesa, si bëhet licencimi i institucioneve financiare e tema të tjera.
Këta nxënës, më 31 tetor, pikërisht në Ditën Ndërkombëtarë të Kursimeve, do të shpalosin njohuritë e fituara në një kuiz.
“Të marrësh njohuri dhe të zhvillosh aftësitë që të kesh kulturë financiare është vërtet një sfidë. Por ju do të përftoni nga këto shkathtësi përgjatë tërë jetës”, iu tha nxënësve Meredith Rubin, zyrtare e Lartë Ekonomike nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë.
“Ju ndoshta do të pyesni pse Ambasada Amerikane e mbështet këtë projekt. Një nga arsyet është se një nga qëllimet dhe shpresa e Ambasadës për Kosovën është rritja ekonomike”.
“Ne po punojmë nga afër edhe me Qeverinë e Kosovës, që studentët, qytetarët dhe shoqëria civile duhet të jenë ‘shkaktarët’ që duhet të përmirësojnë këtë sektor. Ne duam që të kemi një të ardhme më të mirë për vendin tuaj”, theksoi Rubin.
Shkëndije Himaj, këshilltare e Lartë e Bordit Ekzekutiv – Sektori Financiar dhe i Asistencës Teknike në BQK, tha se ka parë që menaxherët e bankave dhe institucioneve të tjera financiare shpesh marrin vendime të gabuara për klientët e tyre – qytetarët.
Prandaj, sipas saj, BQK-ja e ka vendosur si objektiv kryesor përmirësimin dhe avancimin e edukimin financiar.
“Edukimi financiar nuk duhet të ndodhë vetëm për njerëzit mbi 18 vjet që kanë të drejtë të hapin një llogari bankare. Studimet e fundit kanë treguar se edukimi financiar është i rëndësishëm që të fillojë qysh në moshat e hershme”, tha Himaj.
Ajo shpjegoi se BQK-ja ka themeluar Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorëve, i cili mundohet që të gjitha ankesat që marrin nga qytetarët në raport me bankat t’i dizajnojë në formë të edukimit financiar. “Kjo është një preventivë që iu ndihmon klientëve të institucioneve financiare të marrin vendime të drejta… Gjeneratat e reja duhet të përgatiten që të marrin masa mbrojtëse në vazhdimësi”.
Ajo i ka porositur këta nxënës që njohuritë që do t’i fitojnë t’i bartin edhe te shokët e tyre. “Presim nga ju që të marrim impute, komente, sugjerime dhe rekomandime, të cilat të mund të na ndihmojnë neve për përgatitjet e radhës”, u shpreh Himaj.
Ajshe Ramosaj, zyrtare për edukim financiar në Bankën Qendrore të Kosovës, theksoi që organizimi i kësaj ngjarjeje do të ndikojë sado pak në ngritjen e njohurive financiare dhe rrjedhimisht të ndikojë në marrjen e vendimeve të duhura financiare, përfshirë menaxhimin e parave, kursimet, huat dhe shpenzimet.